Lajme
ASH: Propozim-ligji i ri është fasadë që rrezikon barazinë etnike
Aleanca për Shqiptarët përmes një reagimi, kundërshton fuqishëm propozim-ligjin e ri të Qeverisë që synon të zëvendësojë mekanizmin ekzistues të balancuesit për përfaqësim të drejtë të komuniteteve në institucionet shtetërore. Sipas ASH-së, ligji i ri përbën një hap prapa nga standardet kushtetuese të barazisë, pasi nuk përmban mekanizma detyrues për zbatim, nuk përfshin kalkulimin proporcional sipas të dhënave të regjistrimit, nuk ka ndëshkime për institucionet që nuk e zbatojnë dhe e zhvendos kompetencën tek një trup simbolik pa mandat ekzekutiv. ASH kërkon rikthimin e kalkulatorit si mekanizëm ligjor dhe vendosjen e masave ndëshkuese për shkelësit, duke e konsideruar versionin aktual të ligjit si një fasadë politike që rrezikon të drejtat e shqiptarëve dhe karakterin multietnik të shtetit.
Reagimi i plotë i ASH-së:
Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësim për përmbajtjen e propozim-ligjit të sjellë nga Qeveria, i cili synon të zëvendësojë mekanizmin ekzistues të balancuesit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të komuniteteve në institucionet shtetërore.
Ky propozim përfaqëson një hap prapa në respektimin e një prej parimeve themelore të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut: përfaqësimin e drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve.
Mungesa e mekanizmave detyrues për zbatim, konkretisht mospërfshirja e një kalkulatori proporcional bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë, është një mangësi thelbësore e këtij propozimligji. Gjithashtu, mungojnë dispozita që kërkojnë që çdo konkurs pune në sektorin publik të kalojë përmes këtij kalkulimi, si dhe masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin, gjë që e bën këtë iniciativë joefektive dhe jofunksionale në praktikë.
Delegimi i kompetencave tek një “trup koordinues” pa mandat ekzekutiv, pa pavarësi institucionale dhe pa mjetet e nevojshme për mbikëqyrje dhe zbatim të ligjit, nuk garanton avancimin e përfaqësimit të drejtë. Përkundrazi, ky trup do të ketë më shumë rol simbolik dhe deklarativ, pa kapacitet për të ndikuar realisht në proceset e punësimit dhe përfaqësimit institucional.
Zëvendësimi i mekanizmit të balancuesit me një strukturë formale pa fuqi reale është kthim në të kaluarën dhe vë në rrezik karakterin multietnik dhe demokratik të shtetit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon rikthimin e kalkulatorit proporcional si mekanizëm të detyrueshëm për çdo institucion publik në proceset e punësimit, në përputhje me të dhënat zyrtare të regjistrimit dhe me Kushtetutën. Gjithashtu, kërkojmë vendosjen e masave konkrete ligjore ndaj institucioneve që nuk zbatojnë përfaqësimin e drejtë, përfshirë ndalimin e punësimeve të reja, si dhe përgjegjësi administrative dhe penale për drejtuesit përkatës.
Theksojmë se një ligj që nuk përmban mekanizma zbatimi nuk mund të konsiderohet reformë. Pa mjetet e duhura për kontroll dhe pa ndëshkime për moszbatim, ky ligj nuk është zgjidhje, por një fasadë politike që nuk përmbush detyrimet kushtetuese dhe nuk garanton barazi reale për shqiptarët dhe komunitetet e tjera.
Aleanca për Shqiptarët do të angazhohet me të gjitha mjetet politike dhe institucionale për të ndaluar kalimin e këtij ligji në formën aktuale, i cili cenon rëndë të drejtat e shqiptarëve dhe parimin e përfaqësimit të drejtë në shtet.
Lajme
Petar Bogojeskit i “dhemb” propozimi i Shasivarit: Për 10 vjet, i gjithë gjyqësori do të flasë shqip!
Nacionalisti Petar Bogojeski ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor, pas propozimit të ministrit të Drejtësisë, Jeton Shasivari, për zhvillimin e Provimit të Jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe.
Në një status në gjuhën maqedonase, Bogojeski pretendon se brenda dhjetë vjetësh gjykatësit shqiptarë do të gjykojnë qytetarë maqedonas përmes përkthyesve, pasi, sipas tij, nuk do ta njohin gjuhën maqedonase.
“Për një kohë të shkurtër (10 vjet), do të kemi një gjykatës shqiptar etnik që do të gjykojë dy maqedonas etnikë me përkthyes, sepse nuk do ta dijë gjuhën maqedonase. Ose një prokuror…”, shkruan Bogojeski.
Ai e cilëson këtë skenar si të paqëndrueshëm dhe pretendon se përdorimi i gjuhës shqipe në sistemin gjyqësor mund ta çojë Maqedoninë e Veriut drejt kantonizimit ose federalizimit.
Bogojeski shkon edhe më tej, duke paralajmëruar se, sipas tij, ndarja mbi baza etnike mund të përhapet edhe në arsim, shëndetësi dhe administratë.
Në reagimin e tij, ai kundërshton përdorimin e shqipes si gjuhë institucionale paralele dhe kërkon që shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ta mësojnë gjuhën maqedonase.
“Shqiptarët duhet ta kuptojnë se në Maqedoni duhet ta mësojnë dhe ta dinë gjuhën maqedonase. Shqipja është e tyre, e padiskutueshme, por nuk mund të jetë gjuhë paralele sistemore”, shkruan ai.
Në fund, Bogojeski ironizon edhe mundësinë që institucionet të përdorin përkthyes për gjuhët e vendit, ndërsa statusin e përmbyll me shprehjen “Maqedoni e mjerë”.
Lajme
NPK “SHARRI”: Uji në Tetovë i sigurtë për pije
NPK „SHARRI“ – Tetovë informon se, sipas analizave laboratorike dhe monitorimit të rregullt nga IPSH – Qendra e Shëndetit Publik Tetovë, rezultatet e dokumentuara konfirmojnë se mostrat e analizuara të ujit i plotësojnë kriteret e përcaktuara për ujë të pijshëm.
Për transparencë të plotë, NPK Sharri ka bashkangjitur edhe dokumentet laboratorike dhe njoftimin zyrtar të Qendrës së Shëndetit Publik Tetovë.
Në postimin në Facebook të NPK Sharri që e ka shpërndarë edhe Komuna e Tetovës shtrohet pyetja: Pse mund të ndihet një erë karakteristike në ujë?
Sipas tyre, Gjatë stinës së vjeshtës, veçanërisht pas reshjeve të shiut dhe rënies së gjetheve në rajonin e Malit Sharr, në ujë mund të shfaqet përkohësisht një erë karakteristike e bimësisë.
Kjo dukuri mund të lidhet me lëndët organike që çlirohen gjatë shpërbërjes së gjetheve dhe materialeve të tjera bimore, të cilat arrijnë në burimet ujore.
Por, a është uji i sigurt për pije? – shtrohet pyetja tjetër.
Prania e një ere të tillë nuk nënkupton domosdoshmërisht përkeqësim të cilësisë së ujit. Siguria e tij përcaktohet përmes analizave laboratorike dhe jo vetëm në bazë të erës apo shijes.
Sipas rezultateve të bashkëngjitura të kontrollit, uji i analizuar i plotëson kushtet për pije.
NPK „SHARRI“ – Tetovë u bën thirrje qytetarëve që nëse vërejnë ndryshime të theksuara të erës, shijes apo pamjes së ujit, që ta informojnë këtë ndërmarrje duke treguar rrugën ose lagjen ku është vërejtur dukuria.
Lajme
Morën kredi prej 12 milionë denarë në emër të disa personave, kallëzim penal ndaj dy kumanovareve dhe pesë punonjësve bankarë
SPB Kumanovë ka paraqitur kallëzim penal ndaj A.S.D. (23) dhe M.V. (35), të dyja nga Kumanova, mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale “mashtrim” dhe “keqpërdorim i të dhënave personale”, si dhe ndaj M.P. (34), S.M. (27), N.N. (34), D.M. (48) dhe S.O. (36), mbi dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës dhe autorizimit zyrtar”.
“E kallëzuara e parë, gjatë periudhës nga janari deri në korrik të vitit 2026, në 18 raste, duke shfrytëzuar të dhënat personale të disa personave, në emër të tyre dhe pa pëlqimin e tyre, ka aplikuar për kredi të shpejta konsumatore, ndërsa pas miratimit dhe pagesës së mjeteve financiare, ato janë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme nga e të kallëzuarës së parë dhe të dytë.
“Ndërkaq, të kallëzuarit e tjerë, të punësuar si nëpunës bankarë në një filial të një banke, kanë mundësuar realizimin e mashtrimit dhe dispozicionin e mjeteve financiare, duke i mundësuar kështu të kallëzuarës së parë dhe të dytë të përfitojnë kundërligjshëm pasuri në vlerë të përgjithshme prej 12.221.500 denarë”, thonë nga MPB.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme11 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 week agoÇmimi i naftës shënon rënie
