Lajme
Kandidati për kryetar komune nga CDU në Krefeld, Timo Kühn vizitoi kompaninë prestigjioze E-Bau dhe biznesmenin e suksesshëm Kosovar, Albert Hashimi
Në qytetin gjerman të Krefeldit, i cili numëron rreth 350.000 banorë, u zhvillua një takim domethënës mes kandidatit të CDU-së për kryetar komune, Timo Kühn, dhe biznesmenit të njohur kosovar, Albert Hashimi. Ky takim u zhvillua në ambientet moderne të kompanisë E-Bau, simbol i suksesit të diasporës shqiptare në Gjermani.
Timo Kühn, i cili ka fituar popullaritet falë angazhimit të tij për përfshirjen e komuniteteve të ndryshme në jetën politike dhe sociale të qytetit, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me sipërmarrësit emigrantë, duke vlerësuar lart kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe integrimin shoqëror. “Krefeldi është qytet i mundësive dhe i bashkëjetesës harmonike. Një shembull i shkëlqyer është z. Hashimi, i cili ka ndërtuar një perandori biznesi me profesionalizëm dhe përkushtim,” tha ai gjatë vizitës.
Albert Hashimi, i vendosur prej vitesh në Gjermani, është një nga përfaqësuesit më të suksesshëm të komunitetit shqiptar në këtë vend. Me prejardhje nga Kosova, ai ka ndërtuar një karrierë të ndritur si sipërmarrës në sektorin e ndërtimit, duke u bërë një model integrimi dhe suksesi. Ai e mirëpriti vizitën e Timo Kühn me entuziazëm, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërmjet institucioneve lokale dhe komuniteteve të diasporës.
“Është nder për mua të mirëpres një kandidat si z. Kühn, i cili nuk flet vetëm për përfshirje dhe barazi, por i jeton këto vlera. Kjo vizitë tregon se ne si shqiptarë në mërgatë jemi jo vetëm pjesë e këtij shteti, por edhe kontribuues të rëndësishëm për të ardhmen e tij,” u shpreh z. Hashimi.
Takimi u zhvillua në një atmosferë shumë miqësore dhe pozitive, ku u diskutuan tema të rëndësishme si zhvillimi ekonomik, fuqizimi i biznesit lokal, integrimi i diasporës shqiptare në strukturat vendimmarrëse, dhe përmirësimi i kushteve për komunitetet emigrante në qytetin e Krefeldit.
Kandidati Timo Kühn theksoi se do të jetë gjithmonë një derë e hapur për të gjithë qytetarët, pa dallim prejardhjeje apo kulture. Ai premtoi se nëse fiton postin e kryetarit të komunës, do të punojë ngushtë me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe do të krijojë më shumë hapësira për pjesëmarrje aktive në jetën politike dhe ekonomike të qytetit.
Ky takim është një dëshmi e fuqishme e rolit që luajnë figurat e suksesshme të diasporës në ndërtimin e urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mes komuniteteve të ndryshme në Evropë. Ai është gjithashtu një mesazh i fortë se shqiptarët jashtë atdheut jo vetëm që janë të integruar, por janë edhe shtyllë e rëndësishme e zhvillimit në vendet ku jetojnë.
Lajme
Memishi: Qytetarët dhe mërgimtarët me interesim të shtuar për shërbimet komunale në Tearcë, së shpejti funksionalizohen aplikacionet online
Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, ka shprehur mirënjohjen e tij për të gjithë qytetarët, e veçanërisht për mërgimtarët, të cilët gjatë këtyre ditëve po vizitojnë komunën për t’u informuar lidhur me gjendjen e tyre administrative, pagesat e tatimit në pronë dhe obligimet e tjera komunale.
Sipas Memishit, interesimi i shtuar i qytetarëve dhe përgjegjësia e treguar ndaj detyrimeve komunale janë dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve, duke kontribuar në ndërtimin e një komune më të organizuar, më transparente dhe më të zhvilluar.
Ai bëri të ditur se së shpejti do të funksionalizohen edhe aplikacionet online, të cilat do t’ua lehtësojnë qytetarëve marrjen e shërbimeve komunale, pavarësisht se ku ndodhen.
Në fund, kryetari Memishi falënderoi qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se vetëm përmes angazhimit të përbashkët mund të vazhdohet drejt modernizimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të Komunës së Tearcës.
Lajme
Dogana konfiskoi 5.000 pako cigare me vlerë 9 milionë denarë, u arrestua shoferi i kamionit
Në një aksion të shërbimeve doganore në pikën kufitare Bogorodicë, gjatë kontrollit të një automjeti transportues të deklaruar për transit, janë zbuluar dhe konfiskuar 5.000 pako cigare me vlerë prej 9 milionë denarësh.
Shoferi i kamionit, shtetas i Serbisë, i cili kishte tentuar t’i kontrabandonte cigaret, është arrestuar dhe ndaj tij është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale “kontrabandë”, njoftoi Drejtoria Doganore.
Sipas njoftimit, kamioni ishte deklaruar për transit nga Greqia drejt Serbisë dhe, sipas dokumentacionit të paraqitur, transportonte materiale ndërtimore – lesh guri.
Gjatë kontrollit të detajuar, shërbimet doganore zbuluan mbi paletat me mallin e deklaruar 100 kuti të pashënuara, secila me nga 50 pako cigare, përkatësisht gjithsej 5.000 pako cigare pa pulla akcize, të cilat nuk ishin deklaruar.
Lajme
BDI: Rebalanci i Buxhetit 2026 injoron interesat dhe nevojat e shqiptarëve
BDI sot ka reaguar ndaj rebalancimit të Buxhetit për vitin 2026.
Nga atje thonë se pas përfundimit të debatit për rebalancin e Buxhetit për vitin 2026, është e qartë se kjo Qeveri edhe një herë dëshmoi se kur bëhet fjalë për interesat e shqiptarëve, zgjedh t’i injorojë ato.
“Grupi ynë parlamentar paraqiti një sërë amendamentesh serioze, të argumentuara dhe të bazuara në nevojat reale të qytetarëve. Këto amendamente nuk kishin karakter partiak. Ato kishin për qëllim të siguronin më shumë investime për komunat shqiptare, më shumë mjete për zhvillim rajonal, mbështetje për shëndetësinë, arsimin, infrastrukturën dhe një shpërndarje më të drejtë të buxhetit.
Megjithatë, asnjë nga amendamentet tona nuk u pranua.
Ky është një model i përsëritur i sjelljes së kësaj Qeverie, e cila vazhdimisht refuzon çdo propozim që synon përmirësimin e kushteve të jetesës në komunat me shumicë shqiptare.
Kur refuzohet financimi për Klinikën Universitare në Tetovë, kur nuk sigurohen mjete shtesë për Spitalin e Kërçovës, kur nuk mbështetet zhvillimi i barabartë rajonal dhe kur mungon transparenca për projektet kapitale nëpër komuna, atëherë qytetarët kanë të drejtë të pyesin: A trajtohen shqiptarët me të njëjtin standard si pjesa tjetër e vendit?
Në vend që të korrigjojë pabarazitë, kjo Qeveri po i thellon ato. Në vend që të investojë aty ku nevojat janë më të mëdha, ajo vazhdon të favorizojë të njëjtat zona dhe të lërë pas dore komunat shqiptare.
Shifrat flasin vetë. Mjetet për zhvillim të barabartë rajonal janë ulur. Nuk ka mjete për Klinikën Universitare në Tetovë. Nuk ka rritje të investimeve për komunat shqiptare. Nuk ka transparencë të mjaftueshme për shpërndarjen e investimeve kapitale. Ndërkohë, çdo propozim i opozitës shqiptare është refuzuar pa asnjë gatishmëri për dialog.
Ky është një mesazh politik shumë i qartë. Kjo Qeveri flet për barazi, por kur vjen momenti për ta dëshmuar atë përmes buxhetit, shqiptarët mbeten jashtë prioriteteve.
Ne nuk do të heshtim përballë kësaj padrejtësie. Do të vazhdojmë të kërkojmë që çdo qytetar të ketë qasje të barabartë në investime, pavarësisht nëse jeton në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Çair, Saraj apo në çdo komunë tjetër shqiptare”, thonë nga BDI.
Nga atje theksojnë se Buxheti i shtetit nuk mund të jetë instrument i favorizimit politik. Ai duhet të jetë instrument i zhvillimit të barabartë dhe i drejtësisë për të gjithë qytetarët.
“Refuzimi i të gjitha amendamenteve tona nuk është vetëm refuzim i opozitës. Është refuzim i kërkesave dhe nevojave të dhjetëra mijëra qytetarëve shqiptarë që presin investime, zhvillim dhe trajtim të barabartë.
Kjo formë e politikbërjes nuk është veç majorizim, kjo nuk është vetëm formë jodemokratike, kjo formë e imponimit i hap rrugë një sistemi autoritar, që është në kundërshtim me tendencat eurointegruse”, shtojnë nga BDI.
-
Lajme8 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme8 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
