Lajme
Iu dyfishon dënimet ish-drejtorëve të Spitalit Modular të Tetovës për zjarrin me fatalitet
Në vend të një viti e gjysmë burg, sa u kishte shqiptuar Gjykata Themelore në Tetovë, dy ish-drejtorët e Spitalit Klinik të Tetovës tani do të vuajnë nga tre vjet burg secili.
Gjykata e Apelit në Gostivar ka marrë vendim meritor me të cilin ua ka dyfishuar dënimet me burg ish-drejtorëve të Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi dhe Artan Etemi, në lidhje me zjarrin në spitalin modular, ku humbën jetën 14 persona.
Me aktgjykimin e shkallës së parë, të shpallur nga Gjykata Themelore në Tetovë në muajin maj, të dy ish-drejtorët ishin dënuar me nga një vit e gjysmë burg. Duke vendosur mbi ankesat e tyre, si dhe mbi ankesat e Prokurorisë Themelore Publike në Tetovë, gjykata e shkallës së dytë në Gostivar ka sjellë aktgjykim me të cilin ua ka rritur dënimet në nga tre vjet burg.
Seanca publike në të cilën janë shqyrtuar ankesat është mbajtur më 26 nëntor dhe po atë ditë është marrë edhe aktgjykimi, i cili është ndryshuar vetëm në pjesën e dënimeve.
Siç thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit, është shqiptuar edhe një dënim më i lartë financiar prej 300.000 denarësh për Spitalin Klinik të Tetovës, i cili, në vend të një milion denarëve sa kishte vendosur Gjykata Themelore në Tetovë, tani si person juridik i përfshirë në procedurë duhet të paguajë 1.3 milion denarë.
Nga gjykata e shkallës së dytë bëjnë të ditur se si të pabazuara janë refuzuar ankesat e të pandehurve Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe ankesa e Spitalit Klinik, ndërsa janë pranuar ankesat e Prokurorisë Themelore Publike Tetovë dhe të të dëmtuarve në pjesën e vendimit për kërkesën pasurore-juridike.
“Gjykata e ndryshoi aktgjykimin në pjesën e sanksionit penal dhe në pjesën e vendimit për kërkesën pasurore-juridike, ashtu që të pandehurit F.B. nga T. dhe A.E. nga T., të cilët me aktgjykimin e shkallës së parë janë shpallur fajtorë për veprën penale ‘vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme’ sipas nenit 292 paragrafi 4 në lidhje me nenin 288 paragrafi 4 dhe paragrafi 2 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, i dënoi me nga tre vjet burg, ndërsa personin juridik të akuzuar, Spitali Klinik i Tetovës, të shpallur fajtor për veprën penale ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ sipas nenit 288 paragrafi 5 në lidhje me paragrafët 4 dhe 2 të Kodit Penal, e dënoi me gjobë prej 1.300.000 denarësh”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit në Gostivar.
Nga atje shtojnë se në pjesën e shpenzimeve të procedurës, aktgjykimi i shkallës së parë është anuluar dhe lënda në këtë pjesë i kthehet gjykatës për vendimmarrje të re.
Kjo është hera e dytë që Gjykata e Apelit në Gostivar vendos për një aktgjykim të shkallës së parë lidhur me zjarrin në spitalin modular të Tetovës, i cili ndodhi më 8 shtator 2021. Procesi i parë gjyqësor kundër dy ish-drejtorëve përfundoi më 5 qershor 2023, kur ata u dënuan me burg me kusht, ndërsa për Spitalin Klinik u shqiptua një gjobë prej një milion denarësh. Pas procedurës ankimore, në gjysmën e parë të majit 2024, Gjykata e Apelit në Gostivar e anuloi pjesërisht aktgjykimin dhe vendosi që ish-drejtorët dhe Spitali të gjykohen sërish.
As nga aktgjykimi i përsëritur nuk ishin të kënaqur as të pandehurit, as familjarët e viktimave dhe të të lënduarve në zjarrin e spitalit modular. Palët në procedurë paraqitën ankesa edhe ndaj këtij aktgjykimi, për të cilin Gjykata e Apelit në Gostivar, siç njoftoi sot, ka marrë vendim meritor.
Spitali modular në Tetovë, i cili ishte hapur për trajtimin e pacientëve me Covid-19, u përfshi nga zjarri mbrëmjen e 8 shtatorit 2021, ndërsa në tragjedi humbën jetën 14 persona. Prej tyre, 12 ishin pacientë të shtruar në spital, ndërsa për dy është konstatuar se ishin anëtarë të familjeve të pacientëve të shtruar.
Lajme
Alpinisti i vdekur në Majën e Titos është nga fshati Xhepçisht?!
Personi që humbi jetën sot në zonën e “Kodrës së Diellit”, përkatësisht në afërsi të Majës së Titos, mësohet se është nga fshati Xhepçisht i Komunës së Tetovës, mëson tetova1
Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për një person mbi 70-vjeç, i cili kishte dalë në zonën malore si alpinist. Për shkak të terrenit të vështirë dhe të paarritshëm me mjete të zakonshme, trupi i pajetë është transportuar me helikopter nga zona malore. Autoritetet pritet të japin më shumë detaje lidhur me rrethanat e ngjarjes./tetova1.mk
Lajme
Maran e la jashtë listës së Kombëtares, reagon Jasir Asani
Jasir Asani ishte një nga befasitë e trajnerit Maran, pasi mëngjarashi nuk ishte pjesë e listës me 29 futbollistë të grumbulluar për 4 ndeshjet e kombëtares në Ligën e Kombeve.
Këtë Asani nuk e ka “kapërdirë” dot dhe ka reaguar në rrjetet sociale. Asani ka “ironizuar”, me dy postime të bëra.
“Po rri urtë, se e di veten. Historia nuk harrohet kurrë. Më mirë të mos flas më…”, shkruan Jasir Asani në rrjetet sociale.
Lajme
Këto janë të dhënat që nuk duhet t’ia jepni ChatGPT-së
ChatGPT është bërë pjesë e përditshmërisë së shumë njerëzve, të cilët e përdorin për gjithçka, nga recetat dhe CV-të, deri te këshillat për shëndetin dhe problemet në punë.
Por përdorimi gjithnjë e më i madh i chatbotëve po ngre shqetësime te ekspertët e privatësisë, të cilët paralajmërojnë se disa informacione personale dhe konfidenciale nuk duhet të ndahen në bisedat me inteligjencën artificiale.
Sipas ekspertëve të cituar nga “HuffPost”, përdoruesit duhet të shmangin ndarjen e të dhënave që mund t’i identifikojnë drejtpërdrejt.
Të dhënat personale
Emri i plotë, adresa, numri i telefonit, numri personal, të dhënat e pasaportës, patentës apo dokumenteve të tjera zyrtare janë ndër informacionet që këshillohet të mos ndahen.
Ekspertët rekomandojnë që edhe para ngarkimit të një dokumenti për analizë të hiqen të dhënat që mund të identifikojnë personin.
Problemet dhe informacionet intime
Komunikimi natyral me chatbotët mund t’i bëjë përdoruesit të ndajnë histori familjare, probleme personale apo informacione intime.
Ekspertët paralajmërojnë se një chatbot nuk duhet trajtuar si psikolog, mjek apo avokat, pasi nuk ka të njëjtat detyrime profesionale dhe ligjore për konfidencialitet.
Dokumentet mjekësore
Raportet mjekësore dhe analizat laboratorike mund të përdoren për të marrë shpjegime nga inteligjenca artificiale, por këshillohet që paraprakisht të fshihen emri, datëlindja, numri personal dhe të dhënat e tjera identifikuese.
Informacionet e kompanisë
Raportet e brendshme, kontratat, të dhënat e klientëve, kodet burimore dhe dokumentet që mbrohen nga marrëveshjet e konfidencialitetit nuk duhet të ngarkohen pa autorizim.
Një veprim i tillë mund të krijojë probleme ligjore, kontraktuale ose rregullatore për punonjësin dhe kompaninë.
Të dhënat financiare
Numrat e llogarive bankare, të dhënat e kartave të kreditit, informacionet mbi investimet, të ardhurat dhe deklaratat tatimore janë gjithashtu informacione që duhet të mbahen larg chatbotëve.
Ekspertët këshillojnë përdoruesit të kontrollojnë cilësimet e privatësisë në platformat e inteligjencës artificiale dhe, kur është e mundur, të kufizojnë përdorimin e bisedave për trajnimin e modeleve.
Një alternativë është përdorimi i pseudonimeve ose përshkrimeve të përgjithshme në vend të emrave dhe të dhënave reale, duke i dhënë chatbotit kontekstin e nevojshëm pa ekspozuar informacionet personale apo konfidenciale.
-
Lajme10 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
