Connect with us

Lajme

40 kilometra të para të autostradës Kërçovë–Ohër hapen në korrik

Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, deklaroi se deri më 11 ose 12 korrik do të vihet në funksion segmenti nga Vrbjani deri në Ohër, me përjashtim të pjesës te Botuni, ku – siç sqaroi – ka reshqitje të mëdha që duhet të stabilizohen. Kështu, siç kishte paralajmëruar më herët edhe kryeministri Hristijan Mickoski, 40 kilometrat e para të autostradës Kërçovë–Ohër pritet të hapen muajin e ardhshëm.

“Qytetarët, turistët, të gjithë ata që vijnë, udhëtojnë drejt Ohrit apo kthehen prej aty, do të mund të ngasin mbi asfalt të ri. Ndërprerja te Botuni është për shkak se rruga duhet të kalojë në anën e djathtë të fshatit, ku ka pjerrësi të mëdha dhe rrëshqitje të mëdha që duhet të stabilizohen. Rrëshqitjet te Botuni janë të lidhura edhe me ato mes Kërçovës dhe Vrbjanit. Ne po punojmë intensivisht me Fakultetin e Ndërtimtarisë, me kompaninë kineze, janë bërë hetime gjeologjike dhe rreth 6.5 kilometra shpime për të kuptuar përbërjen e tokës, sepse pjesa më e madhe është e paqëndrueshme. Hetimet gjeologjike janë drejt fundit – rreth 40% janë përfunduar. Në bazë të tyre, projektuesit po krijojnë modele dhe tipe mbrojtjeje për këto pjerrësi, për stabilizimin e tyre,” – tha Trajanovski për televizionin Sitel.

Për sa i përket zgjidhjes për problemin te Botuni, Trajanovski theksoi se sot do të mbahet një takim i rëndësishëm, me qëllim të përzgjedhjes së modelit tipik të mbrojtjes për ato pjerrësi, dhe shumë gjasa është që të përdoret sistemi i galerive. Ai sqaroi se ka rreth 14 pjerrësi shumë problematike, si dhe rreth 21 më pak problematike, të cilat gjithashtu duhet të mbrohen, dhe shprehu bindjen se pjesa më e madhe e tyre do të stabilizohet brenda këtij viti.

Po ashtu, deri në fund të muajit pritet të hapet për përdorim edhe segmenti ekspres Drenovë–Farish, ku Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore është duke punuar në largimin e shkëmbinjve të rrezikshëm. Trajanovski theksoi se vetëm në dy pjerrësi janë hequr 27 mijë metra kub dhe, që të sigurohet një sipërfaqe e rrafshët nga të dyja anët e asfaltit (nga 2 metra majtas e djathtas).

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

NPK Tetova nis aksionin për larjen e kontejnerëve dhe pastrimin e hapësirave përreth

Ndërmarrja Publike Komunale „Tetova-Tetovë“ gjatë netëve të fundit ka zhvilluar një aksion për larjen dhe pastrimin e kontejnerëve, si dhe të hapësirave përreth tyre në qytet.

Aksioni ka për qëllim përmirësimin e higjienës dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike, veçanërisht në pikat ku janë të vendosur kontejnerët për mbeturina.

Nga ndërmarrja bëjnë apel te qytetarët që të tregojnë më shumë kujdes gjatë hedhjes së mbeturinave dhe ato t’i vendosin brenda kontejnerëve, e jo përreth tyre.

Drejtori i NPK „Tetova-Tetovë“, Samet Bislimi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë me ndërmarrjen dhe të kontribuojnë në mbajtjen e qytetit të pastër.

Bislimi ka apeluar gjithashtu që mbeturinat inerte të mos grumbullohen pranë kontejnerëve. Për largimin e tyre, qytetarët duhet të kontaktojnë ndërmarrjen, e cila do të ndërmarrë masat e nevojshme për mënjanimin e tyre.

Nga NPK theksojnë se mirëmbajtja e hapësirave publike nuk varet vetëm nga puna e ndërmarrjes, por edhe nga ndërgjegjësimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve.

Aksione të tilla do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim që hapësirat rreth kontejnerëve të jenë më të pastra dhe qyteti të ketë një pamje më të mirë dhe më të mirëmbajtur.

https://www.facebook.com/share/p/19FrShxtdK/

Continue Reading

Lajme

DAP do të ketë qasje në çdo transaksion në kohë reale: e-fatura hyn në zbatim nga 2027

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP). (DAP) po përgatit një ndryshim të madh në mënyrën e mbledhjes dhe kontrollit të të dhënave tatimore. Sistemi i e-faturës pritet të fillojë të zbatohet në mënyrë të detyrueshme dhe në faza gjatë vitit 2027, ndërsa përdorimi vullnetar pritet të nisë deri në fund të vitit 2026.

Lajmin e bëri të ditur drejtoresha e UJP-së, Elena Petrova, gjatë një paneli në kuadër të “Ohër 2026”, ku u diskutua për të ardhurat tatimore, hendekun tatimor, luftën kundër ekonomisë informale dhe forcimin e financave publike.

Sipas Petrova, deri në fund të vitit 2026 pritet të miratohet edhe ligji përkatës, ndërsa paralelisht duhet të përfundojë implementimi i infrastrukturës softuerike dhe harduerike të nevojshme për funksionimin e sistemit.

Çfarë ndryshon me e-faturën?

Një nga ndryshimet më të mëdha do të jetë mënyra se si DAP do t’i marrë dhe analizojë të dhënat.

Në vend që të mbështetet kryesisht në të dhëna të agreguara nga deklaratat tatimore, administrata tatimore do të ketë të dhëna të strukturuara për çdo faturë dhe çdo transaksion individual.

Kjo do të përfshijë të dhëna për shitësin, blerësin, produktet dhe shërbimet e faturuara, si dhe tregues të tjerë të rëndësishëm për tatimet.

Por ndryshimi më i madh është shpejtësia e qasjes në informacion.

Aktualisht, një pjesë e të dhënave tatimore merren pas përfundimit të muajit, tremujorit apo periudhës përkatëse tatimore. Me sistemin e e-faturës, informacioni do të jetë i disponueshëm për DAP në kohë reale, menjëherë pas lëshimit të faturës.

Kjo pritet të ndryshojë ndjeshëm edhe mënyrën e kontrolleve tatimore.

Më shumë kontrolle automatike dhe më pak hapësirë për fshehje

Sipas Petrova, një pjesë e kontrolleve do të mund të automatizohen dhe të integrohen drejtpërdrejt në proceset tatimore. Kjo do të mundësojë zbulimin më të shpejtë të gabimeve, mospërputhjeve dhe të dhënave të pasakta, qofshin ato të qëllimshme apo të paqëllimshme.

Të dhënat nga e-faturat do të mund të kryqëzohen edhe me informacionin që DAP tashmë merr nga bankat, Doganat, pajisjet fiskale dhe burime të tjera.

Në këtë mënyrë, administrata tatimore do të ketë mundësi më të mëdha për të analizuar rreziqet, për të zbuluar modele të pazakonta të transaksioneve, për të identifikuar lidhje mes kompanive dhe për të evidentuar transaksione të dyshimta.

Kjo do të thotë se kontrollet nuk do të mbështeten vetëm në verifikime të kryera pasi të jetë raportuar një problem, por gjithnjë e më shumë në analizën e të dhënave dhe identifikimin paraprak të rrezikut.

Petrova theksoi se digjitalizimi nuk do t’i eliminojë menjëherë përpjekjet për shmangie të tatimeve, por do ta ngushtojë ndjeshëm hapësirën për fshehjen e transaksioneve dhe do ta bëjë më të lehtë zbulimin e tyre.

UJP drejt një modeli të ri të kontrollit

Qëllimi është që DAP gradualisht të shndërrohet në një administratë tatimore që mbështetet më shumë te të dhënat, teknologjia dhe analiza e rrezikut gjatë marrjes së vendimeve dhe kryerjes së kontrolleve.

Me e-faturën, administrata do të ketë një pasqyrë shumë më të detajuar të qarkullimit ekonomik, ndërsa bizneset do të përballen me një sistem ku transaksionet dhe faturat do të jenë më të gjurmueshme.

Sistemi i ri pritet të nisë me përdorim vullnetar deri në fund të vitit 2026, ndërsa zbatimi i detyrueshëm do të bëhet në faza gjatë vitit 2027.

Continue Reading

Lajme

Shqipëri, Edi Rama shkarkon ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin. Në krye të Ministrisë së Brendshme pritet të vijë Ervin Demo.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur të ndryshojë drejtimin e Ministrisë së Brendshme, duke shkarkuar Besfort Lamallarin nga detyra e ministrit.

Lajmin e ka bërë publik vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka përmendur se Lamallari do të zërë vend në kabinetin e Kryeministrisë. Teksa, Demo, me marrjen e mandatit, do të integrojë në to edhe çështjet e pushtetit vendor, me të cilat ai është angazhuar vitin e fundit.

Në deklaratën e tij pas ndryshimit në qeveri, Rama e cilësoi lëvizjen si një riformatim të skuadrës qeverisëse, duke theksuar se Lamallari nuk largohet nga ekipi, por do të vijojë punën pranë tij në Kryeministri./albanianpost/

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme5 hours ago

NPK Tetova nis aksionin për larjen e kontejnerëve dhe pastrimin e hapësirave përreth

Ndërmarrja Publike Komunale „Tetova-Tetovë“ gjatë netëve të fundit ka zhvilluar një aksion për larjen dhe pastrimin e kontejnerëve, si dhe...

Lajme1 day ago

DAP do të ketë qasje në çdo transaksion në kohë reale: e-fatura hyn në zbatim nga 2027

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP). (DAP) po përgatit një ndryshim të madh në mënyrën e mbledhjes dhe kontrollit të...

Lajme1 day ago

Shqipëri, Edi Rama shkarkon ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin. Në krye të Ministrisë së Brendshme...

Lajme1 day ago

25 vjet pas 11 shtatorit: Ngjarjet që riformësuan botën

25 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, pasojat e tyre vazhdojnë të ndikojnë në politikën globale, sigurinë dhe konfliktet...

Lajme1 day ago

Pa energji elektrike disa pjesë të Haraçinës, Mojancës, Orllancës dhe Sonjës së Epërme

Pa energji  elektrike sot në periudhën nga ora 09:00 deri në orën 13:00, do të jenë konsumatorët e fshatit Haraçinë...

Lajme1 day ago

Hodhi mbeturinat në Radikë nga ura – kamerat e kapën, inspektorët e gjetën dhe e gjobitën!

Dibër – Personi që u filmua duke hedhur mbeturina nga një urë në lumin Radika është identifikuar dhe ndëshkuar nga...

Lajme2 days ago

VMRO-DPMNE i kundërpërgjigjet Osmanit: Nuk ka pasur asnjë komunikim me BDI-në për zgjedhje të parakohshme

Nga VMRO-DPME mohojnë se kanë komunikuar me Bashkimin Demokratik për Integrim për zgjedhje të parakohshme paralmentare, përcjell TV21. “Nuk ka...

Lajme2 days ago

Danimarka hap dyert për punëtorë nga 16 vende, mes tyre Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut

Danimarka nga 1 janari 2027 do të vendosë një program të ri për punësimin e punëtorëve të huaj nga 16...

Lajme2 days ago

“Lexojnë, por nuk kuptojnë” – PISA ndez alarmin në arsimin e Maqedonisë së Veriut

Rezultatet e PISA 2025 nuk janë vetëm një statistikë e radhës për arsimin. Ato hapin një pyetje shumë më të...

Sport2 days ago

Mexhit Hysenaj në ringun e “Fair FC”! Përballje e madhe më 19 shtator në Duisburg

Kickbokseri shqiptar Mexhit Hysenaj është gati për një tjetër sfidë të madhe në karrierën e tij. Hysenaj do të ngjitet...

Trending