Lajme
ASH: Uniformat vetëm në maqedonisht, dëshmi e nënshtrimit të VLEN-it ndaj VMRO-së
Vendimi që uniformat e reja të policisë të jenë vetëm në gjuhën maqedonase është skandaloz dhe përbën shkelje flagrante të barazisë gjuhësore të garantuar me Marrëveshjen e Ohrit dhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ky veprim e nxjerr në pah, edhe njëherë, fytyrën e vërtetë të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve.
Ky rast, për të satën herë, dëshmon nënshtrimin e plotë të VLEN-it në Qeveri – një subjekt që ka shitur kauzën shqiptare për interesa personale, për një grusht vota të VMRO-DPMNE-së dhe për të mbrojtur drejtuesit e vet nga dosjet që duhet të trajtohen në gjykata për krime, keqpërdorime dhe korrupsion, veçanërisht në Tetovë dhe Çair.
Uniformat nuk janë thjesht veshje, por simbol i barazisë dhe i respektit. Kur ligji urdhëron dygjuhësi, ndërsa Qeveria imponon njëgjuhësi, kjo është dëshmi se partitë shqiptare në pushtet kanë humbur çdo sovranitet politik dhe janë shndërruar në pasqyrë të interesave të VMRO-së.
Aleanca për Shqiptarët kërkon tërheqjen e menjëhershme të këtij vendimi diskriminues, zëvendësimin e uniformave me mbishkrime dygjuhëshe sipas ligjit, si dhe përgjegjësi politike nga ata që kanë lejuar një turp të tillë.
Lajme
Burkina Faso ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Francën
Junta ushtarake e Burkina Fasos ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Francën, duke e akuzuar Parisin se ka vepruar vazhdimisht kundër interesave kombëtare të vendit.
Marrëdhëniet mes Burkina Fasos dhe ish-fuqisë koloniale u përkeqësuan pas ardhjes në pushtet të kapiten Ibrahim Traoré me një grusht shteti në vitin 2022, i cili ka ndjekur politika kryesisht anti-perëndimore.
Në një deklaratë televizive të premten, ministri i komunikimit Pingdwendé Gilbert Ouédraogo tha se Franca është fajtore për “aktivizëm të pandërprerë” kundër vendit dhe e akuzoi për “ambicie neokoloniale”.
Ministria e Jashtme franceze e cilësoi vendimin si “armiqësor dhe të pabazë” dhe deklaroi se ai “tregon prirjen shqetësuese të qeverisë së Burkina Fasos”.
Franca gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të saj në vend që të tregojnë “vigjilencë të shtuar”.
Burkina Faso, ashtu si fqinja Mali, ka më shumë se një dekadë që përballet me një kryengritje islamiste, shpesh në bashkëpunim me forcat franceze të dislokuara në rajon.
Menjëherë pas marrjes së pushtetit, kapiten Traoré dëboi trupat franceze. Qeveria e tij ka akuzuar Francën për “agjendë të fshehtë” dhe është orientuar drejt Kinës dhe Rusisë.
Deklarata e fundit e Burkina Fasos thekson se kushtet për respekt të ndërsjellë mes dy vendeve nuk ekzistojnë më. Ajo akuzon Francën për mbështetje të “rrjeteve subversive” dhe për përpjekje për të “margjinalizuar” vendin në arenën ndërkombëtare.
Po ashtu, në deklaratë thuhet se ndërprerja e marrëdhënieve “lidhet ekskluzivisht me kornizën institucionale të marrëdhënieve” dhe “nuk vë në pikëpyetje lidhjet historike, njerëzore, kulturore dhe sociale që bashkojnë popujt e Burkina Fasos dhe Francës”.
Junta ishte zotuar të rikthente demokracinë në vitin 2024, por e tërhoqi këtë premtim dhe në janar të këtij viti shpërndau zyrtarisht partitë politike.
Në janar 2025, Burkina Faso, së bashku me dy shtete fqinje të drejtuara nga ushtria – Mali dhe Nigeri – u larguan zyrtarisht nga blloku rajonal i Afrikës Perëndimore, ECOWAS, për të formuar një grup të ri, Aleancën e Shteteve të Sahelit.
Franca nuk ka më ambasador në Burkina Faso që nga janari 2023.
Në vitin 2024, vendi dëboi tre diplomatë francezë, duke i akuzuar për “veprimtari subversive”. Franca i ka mohuar këto pretendime.
Lajme
Mexhiti: Rreth 3 miliardë euro investime në vendbanimet shqiptare në dy vitet e fundit, ndryshim historik në zhvillimin e infrastrukturës
Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, në emisionin “Agora” në Almak TV ka deklaruar se në dy vitet e fundit në vendbanimet kryesisht shqiptare në Maqedoninë e Veriut janë ndarë rreth 3 miliardë euro investime, duke e cilësuar këtë si një ndryshim të madh krahasuar me të kaluarën.
Sipas tij, këto investime përfshijnë projekte të mëdha infrastrukturore që lidhin vendin me Shqipërinë dhe Kosovën, si Korridori 8 dhe rruga Shkup–Bllacë, të cilat, siç tha ai, po e forcojnë ndërlidhjen rajonale.
“Me përgjegjësi e them se në këto dy vite po ndodhin rreth 3 miliardë euro investime në vendbanimet shqiptare, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Nëse do të kishte pasur investime të tilla në të kaluarën, dallimet mes vendbanimeve shqiptare dhe atyre maqedonase nuk do të ishin kaq të theksuara”, deklaroi Mexhiti.
Ai përmendi gjithashtu vendime dhe projekte që sipas tij janë realizuar për herë të parë, si ndarja e 60 milionë eurove për ndërtimin e Universitetit “Nënë Tereza”, si dhe financimi i projekteve infrastrukturore në komunat me shumicë shqiptare.
Mexhiti theksoi se për herë të parë investimet po shpërndahen sipas numrit të banorëve dhe nevojave reale të komunave, duke shtuar se në të kaluarën, sipas tij, kriteret kanë qenë të ndryshme dhe shpesh kanë devijuar nga vendbanimet shqiptare.
Ai përmendi edhe projekte të tjera në zhvillim, si Sheshi “Skënderbeu” në Shkup (faza e tretë), si dhe rrugën Tetovë–Prizren, ku pritet të hapet projekti për tunelin.
“Vetëm për komunat shqiptare janë ndarë rreth 100 milionë euro për infrastrukturë nëntokësore, çerdhe, terrene sportive dhe projekte të tjera”, shtoi ai.
Sipas Mexhitit, këto investime tregojnë një qasje të re në zhvillimin e barabartë rajonal dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në vendbanimet shqiptare në vend.
Lajme
Bekim Sali: One Stop Shop mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tashmë funksionon
Zv/kryeministri i parë Bekim Sali ka njoftuar se sistemi One Stop Shop mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut tashmë ka nisur të funksionojë.
“Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut sot janë më afër se dje.
Ajo që deri dje ishte premtim, sot është realitet. One Stop Shop po funksionon, duke sjellë kalim më të shpejtë, më pak pritje dhe më shumë lehtësi për mijëra qytetarë që lëvizin mes dy vendeve.
Ky është standardi ynë: premtimet i kthejmë në vepra, ndërsa bashkëpunimin rajonal e bëjmë përfitim konkret për qytetarët.
Urime qytetarëve të të dy vendeve për këtë hap të rëndësishëm drejt lëvizjes më të lirë dhe më efikase.” deklaroi Sali.
-
Lajme7 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme7 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
