Connect with us

Lajme

Falsifikim digjital në MPB, si u keqpërdor për vite sistemi elektronik për lëshimin e patentë-shoferëve

Afera e madhe me patentë-shoferët e falsifikuar në Maqedoni nuk paraqet një rast klasik të prodhimit të dokumenteve të falsifikuara jashtë institucioneve, por një keqpërdorim kompleks që për vite me radhë është kryer drejtpërdrejt brenda sistemit elektronik të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas gjetjeve të deritanishme të hetimit që po zhvillon Prokuroria Themelore Publike në Shkup kundër 27 personave për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, pjesa kryesore e skemës zhvillohej në Departamentin për Punë Administrative. Një zyrtare e punësuar, gjatë periudhës nga shtatori i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2026, duke përdorur kodin e saj zyrtar, në mënyrë të kundërligjshme ndryshonte kërkesa të krijuara më parë, anulonte kërkesa ekzistuese dhe krijonte të reja, në të cilat vendoste kategori për të cilat aplikuesit nuk i plotësonin kushtet ligjore. Më pas, patentë-shoferët miratoheshin me përmbajtje të rreme.

Skema funksiononte përmes një rrjeti të organizuar, në të cilin katër të dyshuar vepronin si ndërmjetës, duke gjetur persona të interesuar dhe duke koordinuar procedurën drejtpërdrejt me zyrtaren në MPB. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë mënyrë në mënyrë të kundërligjshme janë lëshuar patentë-shoferë për 21 persona, ndërsa disa prej përdoruesve më vonë i kanë përdorur këto dokumente në qarkullimin juridik sikur të ishin marrë në mënyrë të ligjshme.

Skandali merr përmasa edhe më serioze, pasi gjashtë persona me këto patentë-shoferë kanë kaluar kufirin shtetëror, ndërsa dy persona madje kanë arritur t’i përdorin ato për të marrë certifikata të kompetencës profesionale për shoferë në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave. Kjo ka nxitur edhe kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese nga Ministria e Transportit.

Ky rast ngre pyetje serioze për mekanizmat e kontrollit dhe sigurinë e sistemeve digjitale në administratën shtetërore. Digjitalizimi duhet të mundësojë gjurmueshmëri të plotë të të gjitha ndryshimeve, por fakti që një kod zyrtar mund të ndryshonte të dhënat dhe të miratonte kategori për gati gjashtë vjet pa u zbuluar tregon për një dështim serioz sistemik.

Ndërsa Prokuroria e zgjeron hetimin për të verifikuar përfshirjen e mundshme edhe të personave të tjerë, testi i vërtetë për institucionet do të jetë të japin përgjigje se pse mekanizmat e brendshëm të alarmit nuk reaguan më herët dhe si të dhënat e rreme kaluan për vite me radhë nëpër procedurat zyrtare sikur të ishin plotësisht legjitime.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

Nga qendra e Shkupit tek aeroporti për vetëm 8–11 minuta – paralajmërohen dy linja të reja hekurudhore në Shkup

Shkupi pritet të nisë pranverën e ardhshme ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore që do të lidhë drejtpërdrejt Stacionin e Ri Hekurudhor me Aeroportin Ndërkombëtar në Petrovec. Sipas paralajmërimit të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Transportit, Aleksandar Nikolloski, udhëtimi nga qendra e qytetit deri te terminali i aeroportit do të zgjasë vetëm 8 deri në 11 minuta.

Projekti është pjesë e planit për modernizimin e transportit hekurudhor dhe transformimin e transportit publik në kryeqytet.

Zgjerohen linjat e trenit urban

Pas funksionalizimit të linjës së parë të trenit urban, autoritetet po përgatisin edhe zgjerimin e rrjetit.

Një pikë e re hekurudhore pritet të ndërtohet pranë lagjes “11 Oktomvri Baraka” në Komunën e Kisella Vodës, ndërsa planifikohet edhe vendosja e pikave për biçikleta dhe harmonizimi i orareve me transportin publik të JSP-së.

Projekti parashikon edhe dy linja të reja:

* Linja e dytë: Stacioni i Ri – Autokomandë – Maxhari – Çento – Ilinden – Agino Sellë.
* Linja e tretë: Volkovo – Gjorçe Petrov – Shkup Veri – Butel – Stacioni i Ri.

Sipas Nikolloskit, reagimet e para të qytetarëve ndaj trenit urban kanë qenë shumë pozitive, ndërsa përdorimi i trenave elektrikë synon të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit nga zonat periferike drejt qendrës.

Trenat e rinj me mbështetje ndërkombëtare

Ministria e Transportit po punon edhe për modernizimin e flotës hekurudhore.

Përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) janë duke u siguruar pesë lokomotiva të reja elektrike për elektrifikimin e transportit të mallrave.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Bankën Botërore, po finalizohet blerja e 4 deri në 6 trenave të rinj modernë për udhëtarë, të pajisur sipas standardeve evropiane dhe me hapësira të veçanta për biçikleta dhe kafshë shtëpiake.

Continue Reading

Lajme

Rrethrrotullimi pritet t’i japë fund ngarkesës në hyrje të Sarajit

Ngarkesa e madhe e trafikut në hyrje të Sarajit për të cilën vite me radhë banorët ankohen, pritet të adresohet me ndërtimin e një rrethrrotullimi, një ure të re dhe një bulevardi. Për këtë projekt janë paraparë rreth 7 milionë euro, ndërsa pritet të fillojë procedura e prokurimit publik. Nga Qyteti i Shkupit thonë se gjatë realizimit të projektit mund të ketë edhe rrënim ose dislokim të disa objekteve që ndodhen në trasenë e planifikuar, shkruan Portalb.mk.

Banorët kërkojnë rrethrrotullim

Rrethrrotullimi në Saraj është i nevojshëm për shkak të ngarkesës së madhe në trafik, thonë banorët e kësaj zone.

Sipas tyre, mungesa e një lidhjeje direkte drejt Kondovës i detyron shoferët të bëjnë rrugë shtesë, ndërsa në këtë pjesë krijohen edhe tollovi të mëdha.

“Meqë ka njoftim se do të ndërtohet, banorët këtu nuk janë kundër që të ndërtohet, sepse ka nevojë këtu për një rrethrrotullim, për shkak se këtu ka shumë tollovi”, na tha një banor i Sarajit.

Sipas tij, problemi është veçanërisht i theksuar për shoferët që udhëtojnë në drejtim të Kondovës, të cilët duhet të përshkojnë rreth dy kilometra shtesë për t’u kyçur në këtë vendbanim.

“Këtu ka problem me trafikun. Ai që duhet të shkojë nga Saraji në Kondovë, duhet të lëvizë një kilometër më poshtë, që të sillet edhe një kilometër për t’u kyçur në Kondovë. Edhe ata që janë në Gjorçe ose Kondovë, të cilët duan të shkojnë në qytet, nuk kanë të drejtë këtu. E shfrytëzojnë rrugën tjetër, ‘4 Korriku’, dhe qytetarët janë të rrezikuar në trafik të madh. Me rrethrrotullimin, varet se ku do të ndërtohet, duhet të zgjidhet edhe ai problem”, u shpreh banori.

Autoritetet paralajmëruan zgjidhje

Nga Qyteti i Shkupit bëjnë të ditur se në trasenë e planifikuar të projektit janë evidentuar objekte dhe prona ekzistuese. Për përcaktimin e saktë të pronësisë dhe gjendjes së tyre është porositur elaborat gjeodezik.

“Në trasenë e ndërhyrjeve të planifikuara infrastrukturore janë evidentuar objekte dhe prona që përfshihen në projekt. Për këtë qëllim, Qyteti i Shkupit tashmë ka porositur përgatitjen e një elaborati gjeodezik, me të cilin do të përcaktohen saktësisht struktura e pronësisë dhe gjendja e objekteve dhe pronave”, thonë nga Qyteti i Shkupit për Portalb.mk.

Nga atje shtojnë se, “në rast se konstatohet se objekte ose prona të caktuara ndodhen në trasenë e projektit dhe janë të domosdoshme për realizimin e tij, ato mund të rrënohen ose dislokohen, në përputhje me procedurën ligjore për shpronësim”.

Sa i përket afateve, nga Qyteti i Shkupit theksojnë se procedura e prokurimit publik, përfshirë nënshkrimin e kontratës, pritet të përfundojë brenda 60 ditëve, nëse nuk paraqiten rrethana shtesë. Afati i ndërtimit do të përcaktohet me kontratën me kompaninë e përzgjedhur. Projekti përfshin edhe rregullimin e shtratit të lumit Vardar.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, e ka vlerësuar projektin si të rëndësishëm për banorët, duke thënë se ai do të zgjidhë një problem të kahmotshëm infrastrukturor.

“Ky projekt është shumë domethënës për komunën tonë dhe vetë banorët e komunës. Zgjidhet një problem i kahmotshëm i Komunës së Sarajit, ku do të lidhet Komuna e Sarajit me dy pjesët e saj, Dërvenin dhe pjesën e Kondovës”, ka deklaruar Elmazi.

Sipas Elmazit, rrethrrotullimi është faza e parë e projektit, ndërsa në fazën e dytë parashihet edhe lidhja me Kondovën. Ai tha se për projektin janë paraparë rreth 420 milionë denarë, apo 7 milionë euro.

Projekti 3D i rrethrrotullimit në Saraj, marrë printscreen nga Facebooku i kryetarit të Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi.
Projekti 3D i rrethrrotullimit në Saraj, marrë printscreen nga Facebooku i kryetarit të Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi.

Premtime të vjetra për rrethrrotullimin në Saraj

Rrethrrotullimi në Saraj nuk është projekt i ri, pasi është premtuar disa herë ndër vite.

Rrethrrotullimi në Saraj, pjesë e programit zgjedhor të ish-kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov.
Rrethrrotullimi në Saraj, pjesë e programit zgjedhor të ish-kryetarit të Shkupit, Petre Shilegov.

Në vitin 2017, ish-kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, e kishte përfshirë në programin e tij zgjedhor, si pjesë të projektit për “Portën Perëndimore të Shkupit”.

Katër vjet më vonë, gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2021, edhe Danella Arsovska premtoi ndërtimin e një rrethrrotullimi të ri në hyrje të Sarajit.

Të dyja këto premtime mbetën pa u realizuar gjatë mandateve përkatëse, ndërsa tani projekti rikthehet në agjendë, kësaj here i zgjeruar me urën e re dhe bulevardin.

Continue Reading

Lajme

Në Shipkovicë do të ndizet “Flakadani i Lirisë” – Përkrahje për ish krerët e UÇK-së

Këshilli Organizativ i Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka njoftuar se më 14 shtator 2026 do të organizojë ndezjen e “Flakadanit të Lirisë” në Sheshin e UÇK-së në Shipkovicë.

Sipas njoftimit të organizatorëve, aktiviteti do të nisë në ora 19:00 dhe synon të mbledhë qytetarë, miq dhe veteranë të luftës në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me procese gjyqësore në Hagë.

Organizatorët u kanë bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen aktivitetit, duke e cilësuar atë si një shprehje të përbashkët mbështetjeje për ish-pjesëtarët e UÇK-së që po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Aktiviteti është paralajmëruar të zhvillohet me këtë agjendë:

  • Vendi: Sheshi i UÇK-së, Shipkovicë
  • Data: 14 shtator 2026
  • Ora: 19:00

Njoftimi i organizatorëve vjen në kuadër të mobilizimeve publike në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore në Hagë.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lajme18 hours ago

Nga qendra e Shkupit tek aeroporti për vetëm 8–11 minuta – paralajmërohen dy linja të reja hekurudhore në Shkup

Shkupi pritet të nisë pranverën e ardhshme ndërtimin e një linje të shpejtë hekurudhore që do të lidhë drejtpërdrejt Stacionin...

Lajme18 hours ago

Rrethrrotullimi pritet t’i japë fund ngarkesës në hyrje të Sarajit

Ngarkesa e madhe e trafikut në hyrje të Sarajit për të cilën vite me radhë banorët ankohen, pritet të adresohet...

Lajme18 hours ago

Në Shipkovicë do të ndizet “Flakadani i Lirisë” – Përkrahje për ish krerët e UÇK-së

Këshilli Organizativ i Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka njoftuar se më 14 shtator 2026 do të organizojë ndezjen e...

Lajme18 hours ago

Falsifikim digjital në MPB, si u keqpërdor për vite sistemi elektronik për lëshimin e patentë-shoferëve

Afera e madhe me patentë-shoferët e falsifikuar në Maqedoni nuk paraqet një rast klasik të prodhimit të dokumenteve të falsifikuara...

Lajme2 days ago

NPK Tetova nis aksionin për larjen e kontejnerëve dhe pastrimin e hapësirave përreth

Ndërmarrja Publike Komunale „Tetova-Tetovë“ gjatë netëve të fundit ka zhvilluar një aksion për larjen dhe pastrimin e kontejnerëve, si dhe...

Lajme3 days ago

DAP do të ketë qasje në çdo transaksion në kohë reale: e-fatura hyn në zbatim nga 2027

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP). (DAP) po përgatit një ndryshim të madh në mënyrën e mbledhjes dhe kontrollit të...

Lajme3 days ago

Shqipëri, Edi Rama shkarkon ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkarkuar nga detyra ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallarin. Në krye të Ministrisë së Brendshme...

Lajme3 days ago

25 vjet pas 11 shtatorit: Ngjarjet që riformësuan botën

25 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, pasojat e tyre vazhdojnë të ndikojnë në politikën globale, sigurinë dhe konfliktet...

Lajme3 days ago

Pa energji elektrike disa pjesë të Haraçinës, Mojancës, Orllancës dhe Sonjës së Epërme

Pa energji  elektrike sot në periudhën nga ora 09:00 deri në orën 13:00, do të jenë konsumatorët e fshatit Haraçinë...

Lajme3 days ago

Hodhi mbeturinat në Radikë nga ura – kamerat e kapën, inspektorët e gjetën dhe e gjobitën!

Dibër – Personi që u filmua duke hedhur mbeturina nga një urë në lumin Radika është identifikuar dhe ndëshkuar nga...

Trending