Connect with us

Lajme

Çfarë posedon Gruevski dhe sa fitime realizon ai në Hungari?

Kompania hungareze e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski edhe nën sanksionet e SHBA-ve arrin të fitojë dhjetëra mijëra euro në vit nga shërbimet e konsulencës, tregojnë të dhënat nga regjistri i kompanive hungareze, shkruan Kolegium.mk, njofton Portalb.mk.

Se kompania po operon në mënyrë të qëndrueshme me hyrje të rregullta tregon raporti i fundit i publikuar mbi llogarinë përfundimtare për vitin 2024. Regjistri i kompanive hungareze do t’i publikojë të dhënat nga llogaritë përfundimtare për vitin 2025 në muajin maj.

“Miku i mirë i ish-kryeministrit hungarez Viktor Orbán nga Maqedonia, Gruevski, një i dënuar që u arratis në Hungari në vitin 2018 dhe mori statusin e azilit, në verën e vitit 2021 vendosi ta themelojë kompaninë e tij të vogël në qytetin e vogël hungarez në rajonin e Pest, Pecs”, shkruan portali investigativ hungarez 444.hu.

Bëhet fjalë për kompaninë ICIC Kft., aktiviteti kryesor i së cilës janë shërbimet e konsulencës, e cila mbledh në bilancin e saj bankar me miliona forinta hungareze. Në njoftimin e “Open sanctions” qëndrojnë disa variacione të emrit të kompanisë, përfshirë këtu edhe ICIC LTD, e cila, përveç konsulencës, ka ofruar edhe shitje me shumicë të porcelanit, qelqit, produkteve për pastrim dhe organizim eventesh.

“Ai mund të ketë një klient fiks, sepse të ardhurat kanë ardhur në vitet e fundit, ndërsa vetë aktiviteti nuk është aspak me shpenzime intensive, prandaj ai mund të realizojë edhe një fitim të madh”, thuhet në lajmin e medias hungareze.

Në vitin 2024 ish-kryeministri i Maqedonisë ka fituar mbi 4 milionë forinta, ose rreth 11 mijë euro, ndryshe nga një vit më parë kur ka fituar 9.700 euro. Sipas të dhënave që i ka deklaruar, ai ka pasur shpenzime të vogla për kompaninë në vlerë prej 3.400 euro, që do të thotë se i kanë mbetur rreth shtatë mijë euro fitim. Nga këto, ai ka marrë 5 mijë euro si dividendë, kështu që gjatë 3 viteve të funksionimit të kompanisë shuma e përgjithshme e ish-kryeministrit ka arrirë në 16,7 milionë forinta, ose 45 mijë euro, shkruan 444.hu.

Raporti gjithashtu zbulon se edhe pse Nikolla Gruevski i ka tërhequr rregullisht pjesën më të madhe të fitimeve të kompanisë, në fund të vitit të kaluar në llogarinë bankare të kompanisë ka pasur rreth 8 milionë forinta.

“Por, një zhvillim krejtësisht i papritur është se kryeministri i dënuar jo vetëm që jep këshilla, por edhe me sa duket mund të marrë edhe kredi. Ai ka shënuar një borxh prej 2,52 milionë forintash, ose gjashtë mijë eurosh, në bilancin e tij”, thuhet në hulumtim.

Shërbimet e konsulencës së Gruevskit në Budapest i ka përdorur edhe ministri aktual i punëve të jashtme, Péter Szijjártó, i cili, sipas raportimeve të mediave hungareze, e ka pritur ish-kryeministrin e Maqedonisë në zyrën e tij dhe është konsultuar me të për çështje që kanë të bëjnë me Ballkanin Perëndimor. Sipas ministrit, Gruevski është ai nga i cili mund të marrë informacionin më të besueshëm për rajonin, pasi ka qenë kryeministër 10 vjet.

“Nëse duam të marrim informacionin më autentik rreth asaj që po ndodh në Ballkanin Perëndimor, si po zhvillohen proceset në Ballkanin Perëndimor, atëherë me kë do të flisnim nëse jo me një person që ka qenë kryeministër atje për 10 vjet? Dhe po, bisedojmë me të rregullisht. Nuk ka rëndësi se ku. Për shembull, unë bisedoj me të në zyrën time në Ministri. Dhe mendoj se është e natyrshme që zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të jenë në kontakt me një person që ka qenë kryeministër i vendit të tij për 10 vjet”, tha Szijjártó në parlamentin hungarez pas kritikave për takimet e tij me Gruevskin.

Për shkak të mënyrës së qeverisjes së tij Gruevski u  gjend në listën e zezë në prill të vitit 2022. Arsyeja ishte aktgjykimi kundër tij dhe akuzat për raste të shumta korrupsioni, si dhe për shpërdorim të detyrës zyrtare, pastrim parash dhe krime të tjera që lidhen me kohën e tij si Kryeministër i Maqedonisë së Veriut nga viti 2006 deri në vitin 2016.

“Ai i është shmangur vazhdimisht arrestimit për dënimin e tij të vitit 2018 nga gjykata në Maqedoninë e Veriut për akuza që lidhen me korrupsionin, gjë që paraqet një goditje serioze ndaj përgjegjësisë për korrupsionin dhe aktivitetet që lidhen me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Gruevski është pronar dhe drejtor i kompanisë hungareze I.C.I.C. KFT, e cila është e regjistruar si shoqëri me përgjegjësi të kufizuar në Hungari”, thuhej në njoftimin për sanksionet nga Departamentit i financave të SHBA-ve.

Sipas njoftimit në listën e zezë është futur edhe kompania e tij.

Ndërkohë, përkujtojnë mediat hungareze, atdheu i tij shiti një pjesë të pronës së konfiskuar. Shteti i sekuestroi apartamentet si pjesë e vendimit gjyqësor në rastin “Parcelat në Vodno”, për të cilin Gruevski u dënua në mungesë me 9 vjet burg, sepse, siç thuhet në vendim, ai përdori para nga donacionet e VMRO-DPMNE-së (mbi 1,3 milion euro) për të blerë pronë përmes një kompanie offshore.

Herën e fundit që Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë ka kërkuar ekstradimin e Gruevskit ka qenë në vitin 2019, për të gjitha rastet kundër tij dhe për të cilat ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar. Kjo në fakt ishte një plotësim i kërkesës së dërguar në vitin 2018.

Atëkohë autoritetet hungareze zyrtarisht e kanë njoftuar Maqedoninë se nuk do ta ekstradonin Gruevskin. Këtë vendim e mori Gjykata Supreme Rajonale me arsyetimin se nuk ishin përmbushur parakushtet ligjore për ekstradimin e Gruevskit, sepse me kërkesën e tij atij iu dha azil në Hungari dhe “në përputhje me Aktin nr. 38 për Ndihmën Juridike Ndërkombëtare në Çështjet Penale, një person të cilit i është dhënë azil nuk do të ekstradohet në vendin nga i cili është arratisur”.

Pas deklaratave të fundit të kryeministrit të ardhshëm hungarez Peter Magyar, i cili fitoi në zgjedhjet e 12 prillit, se nuk ka vend për kriminelë ndërkombëtarë në Hungari, Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë njoftoi se kishte kërkuar informacion nga gjykatat në lidhje me Gruevskin, në mënyrë që të vazhdonte më tej.

Kryeministri aktual i Maqedonisë, Hristijan Mickoski, tha se nëse Gruevski kthehet në vend ai do të përfundojë në burg. Lidhur me ekstradimin e mundshëm, në deklaratën e tij të fundit kryeministri tha se i arratisuri fillimisht duhet ta humbasë statusin e azilantit në Hungari.

“Në rastin tonë, ish-kryeministri ka azil. Për të dërguar një kërkesë për ekstradim, duhet të ndiqet së pari një procedurë, për ta tërhequr statusin e azilantit. Kjo është gjëja e parë. Nëse e dërgojmë tani, do të marrim një përgjigje negative. Mund ta dërgojmë nesër, pa problem, por le t’i shohim gjërat në një mënyrë më substanciale”, tha Mickoski më 17 prill.

Gruevski u arratis në nëntor të vitit 2018, pak para datës kur duhej të hynte në burg për të vuajtur një dënim dyvjeçar me burg për rastin “Tanku” për blerjen e paligjshme të Mercedesit të blinduar. Ekzekutimi i këtij dënimi vjetërsohet në vitin 2024.

Për momentin kundër tij ka dy vendime të plotfuqishme. Njëri është dënimi i lartpërmendur me nëntë vjet për lëndën “Parcelat në Vodno”, i cili vjetërsohet në shkurt të vitit 2043, ndërsa i dyti për rastin “Dhuna në Qendër”, ku ai është dënuar me një vit e gjysmë, e që vjetërsohet në shtator të vitit 2027.

Raste aktuale gjyqësore në të cilat po gjykohet Gruevski në mungesë janë “Titaniku” për parregullsi zgjedhore dhe “Talir 2” për ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së.

Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajme

VLEN: Pesë ministra shqiptarë në Drejtësi, por BDI e la shqipen jashtë provimit të jurisprudencës

Koalicioni VLEN ka reaguar duke akuzuar ish-ministrat shqiptarë të Drejtësisë dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se për vite me radhë nuk kanë mundësuar që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe.

Sipas reagimit, pavarësisht disa mandateve të ministrave shqiptarë në këtë institucion, kjo çështje nuk është zgjidhur.
“Për vite me radhë, Ministria e Drejtësisë kaloi nga një emër shqiptar te tjetri, por asgjë nuk ndryshoi. Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilen Saliu dhe Krenar Lloga, ky i fundit përfundoi në prehrin e Ali Ahmetit. Pesë ministra. Pesë mandate. Pesë mundësi për ta ndrequr një padrejtësi. Dhe prapë, studentët shqiptarë mbetën jashtë mundësisë për ta dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Dokumenti i nënshkruar nga Talat Xhaferi e vulos të vërtetën për përjashtimin e shqipes nga provimi i jurisprudencës. Edhe më rëndë, ky ligj kaloi me badenter, pra edhe me votat e deputetëve shqiptarë të asaj kohe. E gjithë kjo e zhvesh deri në palcë BDI-në dhe mashtrimin e saj. Në opinion bëjnë patriotin, në institucione votonin dhe firmosnin kundër shqiptarëve”, thonë nga VLEN.

Continue Reading

Lajme

S’ka marrëveshje për presidentin, Abdixhiku: Provova, nuk arrita fatkeqësisht

Ka përfunduar pa një marrëveshje për presidentin edhe takimi i radhës i kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kreu i LDK-së pas takimi tha për media se pavarësisht përpjekje të tij nuk u arrit ndonjë marrëveshje dhe se tani do t’i kthehet përpjekjeve për bashkimin e se djathtës.

“Presidenti i Kosovës s’duhet të jetë zgjatim i Qeverisë, s’mund të ketë një qeveri që ka president të një partie.

U përpoqa, provova nuk arrita fatkeqësisht dhe tani do t’i kthehem LDK-së dhe qëllimit për bashkimin e të djathtës”, tha Abdixhiku.

Ai ka thënë se Kurti ka insistuar që posti i presidentit t’i takoj paristë në pushtet, të cilën ai tha se nuk e kanë pranuar.

“Insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet Vetëvendosjes. Ne ishim në diskutim për çështjen e presidentit dhe unë refuzova të flas për çështje tjera pa folur për emrin e presidentit. Nuk kemi diskutuar për asnjë emër me LVV-në për presindeitn, përveç Glauk Konjufcës dhe për këtë e dini qëndrimin tonë”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk do të ketë më takime me Kurtin për këtë çështje, raporton teve1.info.

Abdixhiku ka thënë se me 15 deputetë kjo parti nuk mund të bëjë më shumë, duke thënë se janë të hapur për diskutime me partitë tjera.

Continue Reading

Lajme

BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Izet Mexhitit, Mickoski e mban në kontroll me një dosje 320 faqesh!

Nga BDI në një komunikatë për media thonë se nga burime kredibile kryeministri Hristijan Mickovski e mban Izet Mexhitin nën kontroll të plotë përmes një dosjeje gjyqësore prej 320 faqesh, e cila, sipas tyre dokumenton shkeljet flagrante të ligjit në fushën e ndërtimtarisë ilegale në Çair, shkelje që kanë shkaktuar dëm të drejtpërdrejtë në buxhetin komunal në vlerë prej 72 milionë eurove.

“Kjo situatë nuk është vetëm skandal juridik,është skandal politik i rendit të parë.

Faktet tregojnë qartë se dosja e prokurorisë nuk po përdoret si mjet drejtësie, por si levë presioni mbi kreun e komunës Çair.

Mexhiti, i rrethuar nga kjo shpatë e Damokleut, vazhdon të qëndrojë në pozitën e tij, duke e vendosur interesin personal mbi interesin e popullit shqiptar dhe qytetarëve të Çairit.

BDI thekson se 72 milionë euro dëm ndaj buxhetit komunal nuk janë shifër abstrakte, janë spitale të pakrijuara, rrugë të paasfaltuara, kopshte dhe shkolla që nuk janë ndërtuar, dhe qytetarë të varfëruar nga një menaxhim i papërgjegjshëm dhe i dyshimtë.

Çdo ditë që Mexhiti qëndron në post, është edhe një ditë më shumë që populli shqiptar në Çair mban peshën e gabimeve të tij.

Ne refuzojmë të pranojmë idenë se një individ dhe çështjet e tij personale juridike mund të mbajnë peng të gjithë çështjen shqiptare.

Mexhiti nuk ka të drejtë t’i ekspozojë qytetarët e Çairit ndaj pasojave politike të manipulimeve të tij.

Ai ka pasur mundësi të mbrojë veten por jo duke u fshehur pas mandatit të tij dhe pas komunitetit tonë.

Për këto arsye, BDI dega Çair kërkon qëmenjëherë: Izet Mexhiti të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të komunës Çair, dhe të ballafaqohet individualisht me akuzat juridike ndaj tij, siç kërkon çdo standard elementar i demokracisë dhe i qeverisjes së ndershme.

Drejtësia nuk është e negociueshme.

Populli shqiptar në Çair meriton udhëheqës që i shërbejnë komunitetit me integritet, jo individë që e përdorin mandatin si mburojë personale ndaj ligjit.

BDI do të vazhdojë të qëndrojë pranë qytetarëve dhe do të luftojë për llogaridhënie të plotë për çdo euro të dëmtuar të buxhetit të Çairit.

BDI u bën thirrje të gjitha forcave politike, institucioneve dhe opinionit publik të ngrihen bashkë në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe të drejtësisë.

Heshtja dhe mosveprimi janë bashkëfajësi.”, thuhet në komunikatën e BDI-së.

Continue Reading

TË FUNDIT

Lifestyle1 hour ago

Nora Istrefi flet për raportin me Robert Berishën: Çdo njeri e meriton një shans të dytë, por jo të tretë ndoshta

Këngëtarja, Nora Istrefi, ka qenë e ftuar në një intervistë për Prive By Liberta Spahiu, ku përveç projektit të ri muzikor...

Lajme1 hour ago

VLEN: Pesë ministra shqiptarë në Drejtësi, por BDI e la shqipen jashtë provimit të jurisprudencës

Koalicioni VLEN ka reaguar duke akuzuar ish-ministrat shqiptarë të Drejtësisë dhe Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se për vite me...

Lajme1 hour ago

S’ka marrëveshje për presidentin, Abdixhiku: Provova, nuk arrita fatkeqësisht

Ka përfunduar pa një marrëveshje për presidentin edhe takimi i radhës i kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe të LDK-së,...

Lajme2 hours ago

BDI kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Izet Mexhitit, Mickoski e mban në kontroll me një dosje 320 faqesh!

Nga BDI në një komunikatë për media thonë se nga burime kredibile kryeministri Hristijan Mickovski e mban Izet Mexhitin nën...

Lajme2 hours ago

Garazha në kate hiqet nga qendra e Kumanovës, ndërtohen vendparkime të reja

“A do të zhvendoset garazha e montazhuar në kate që gjendet para objektit të Shtëpisë së Kulturës në Kumanovë”, pyeti...

Lajme2 hours ago

Voziste 178 km/h aty ku lejohet 80 km/h, në rrugën Gostivar-Tetovë, policia ia merr veturën

Dje (19.04.2026) në orën 18:50, në aksin rrugor Gostivar – Tetovë, zyrtarët policorë nga Njësia Mobile për Siguri në Komunikacionin...

Lajme1 day ago

Gjatë 24 orëve të fundit, tre denoncime për dhunë familjare

Nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informoi se gjatë 24 orëve të fundit janë privuar nga liria tre persona,...

Lajme1 day ago

VLEN: Në çfarë gjuhe djali Talat Xhaferit e kaloi provimin e jurisprudencës?!

Me votën dhe nënshkrimin e tyre, Talat Xhaferi dhe BDI e lanë gjuhën shqipe jashtë provimit të jurisprudencës. Pra, jo...

Lajme1 day ago

Denoncimet për bomba në “East Gate” dhe “Diamond”, MPB jep detaje

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se kërcënimet për vendosje të mjeteve shpërthyese në qendrat tregtare në Shkup kanë rezultuar...

Lajme1 day ago

Lazim Destani nga Düsseldorf: Investimet janë kyçe për zhvillimin e ekonomisë së Maqedonisë së Veriut

Lazim Destani, Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës, mori pjesë në një panel diskutimi me temë “Mundësitë e investimeve të...

Trending