Lajme
Falsifikim digjital në MPB, si u keqpërdor për vite sistemi elektronik për lëshimin e patentë-shoferëve
Afera e madhe me patentë-shoferët e falsifikuar në Maqedoni nuk paraqet një rast klasik të prodhimit të dokumenteve të falsifikuara jashtë institucioneve, por një keqpërdorim kompleks që për vite me radhë është kryer drejtpërdrejt brenda sistemit elektronik të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas gjetjeve të deritanishme të hetimit që po zhvillon Prokuroria Themelore Publike në Shkup kundër 27 personave për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve, pjesa kryesore e skemës zhvillohej në Departamentin për Punë Administrative. Një zyrtare e punësuar, gjatë periudhës nga shtatori i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2026, duke përdorur kodin e saj zyrtar, në mënyrë të kundërligjshme ndryshonte kërkesa të krijuara më parë, anulonte kërkesa ekzistuese dhe krijonte të reja, në të cilat vendoste kategori për të cilat aplikuesit nuk i plotësonin kushtet ligjore. Më pas, patentë-shoferët miratoheshin me përmbajtje të rreme.
Skema funksiononte përmes një rrjeti të organizuar, në të cilin katër të dyshuar vepronin si ndërmjetës, duke gjetur persona të interesuar dhe duke koordinuar procedurën drejtpërdrejt me zyrtaren në MPB. Sipas të dhënave zyrtare, në këtë mënyrë në mënyrë të kundërligjshme janë lëshuar patentë-shoferë për 21 persona, ndërsa disa prej përdoruesve më vonë i kanë përdorur këto dokumente në qarkullimin juridik sikur të ishin marrë në mënyrë të ligjshme.
Skandali merr përmasa edhe më serioze, pasi gjashtë persona me këto patentë-shoferë kanë kaluar kufirin shtetëror, ndërsa dy persona madje kanë arritur t’i përdorin ato për të marrë certifikata të kompetencës profesionale për shoferë në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave. Kjo ka nxitur edhe kontrolle të jashtëzakonshme inspektuese nga Ministria e Transportit.
Ky rast ngre pyetje serioze për mekanizmat e kontrollit dhe sigurinë e sistemeve digjitale në administratën shtetërore. Digjitalizimi duhet të mundësojë gjurmueshmëri të plotë të të gjitha ndryshimeve, por fakti që një kod zyrtar mund të ndryshonte të dhënat dhe të miratonte kategori për gati gjashtë vjet pa u zbuluar tregon për një dështim serioz sistemik.
Ndërsa Prokuroria e zgjeron hetimin për të verifikuar përfshirjen e mundshme edhe të personave të tjerë, testi i vërtetë për institucionet do të jetë të japin përgjigje se pse mekanizmat e brendshëm të alarmit nuk reaguan më herët dhe si të dhënat e rreme kaluan për vite me radhë nëpër procedurat zyrtare sikur të ishin plotësisht legjitime.
Lajme
Lirohen çmimet e derivateve të naftës
Çmimet me pakicë të derivateve të naftës në Maqedoninë e Veriut do të ulen mesatarisht për 2,43 për qind, sipas vendimit të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë.
Sipas vendimit, benzina EUROSUPER BS-95 dhe EUROSUPER BS-98 do të lirohen për 2 denarë për litër. Kështu, çmimi i ri i benzinës BS-95 do të jetë 84 denarë për litër, ndërsa ai i BS-98 do të jetë 86 denarë.
Edhe nafta do të ketë çmim më të ulët. EURODIESEL (D-E V) do të lirohet për 2,5 denarë për litër dhe do të kushtojë 92 denarë.
Ndërkohë, vaji ekstra i lehtë për amvisëri (EL-1) do të ulet për 3 denarë për litër, duke arritur çmimin prej 100,50 denarësh.
Çmimi i mazutit M-1 NS do të ulet për 0,998 denarë për kilogram dhe do të jetë 48,314 denarë.
Lajme
Kondova paguan, por mbetet në terr! Banorët kërkojnë llogari nga Komuna e Gjorçe Petrovit
Banorët e fshatit Kondovë i janë drejtuar zyrtarisht Komunës së Gjorçe Petrovit dhe kryetarit Aleksandar Stojkoski, me kërkesë për vendosjen e ndriçimit publik në hyrje të fshatit, në pjesën që bie nën kompetencat e kësaj komune.
Sipas kërkesës së banorëve, kjo pjesë e rrugës prej një kohe të gjatë mbetet pa ndriçim publik, duke krijuar vështirësi dhe rrezik për këmbësorët, banorët dhe pjesëmarrësit në komunikacion, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes dhe natës.
Banorët theksojnë se, pavarësisht mungesës së këtij shërbimi, ata paguajnë rregullisht taksën për ndriçim publik, duke kërkuar që Komuna të sqarojë pse ky shërbim nuk ofrohet në zonën e tyre.
Në kërkesën drejtuar autoriteteve komunale, banorët kërkojnë trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët, pa dallim të përkatësisë etnike, duke shprehur shqetësimin se mungesa e investimeve dhe shërbimeve publike në këtë pjesë të Kondovës mund të krijojë ndjenjën e trajtimit të pabarabartë.
Përmes kësaj kërkese, ata kërkojnë shqyrtimin urgjent të gjendjes në terren, ndërmarrjen e masave konkrete për vendosjen dhe funksionalizimin e ndriçimit publik, si dhe një përgjigje zyrtare lidhur me arsyet e mungesës së këtij shërbimi dhe afatin kohor për zgjidhjen e problemit.
Banorët presin që Komuna e Gjorçe Petrovit ta shqyrtojë kërkesën dhe të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Ndriçimi publik nuk është privilegj, por një shërbim bazë komunal që duhet t’u sigurohet të gjithë qytetarëve, pa përjashtim”, thuhet në kërkesën e banorëve të Kondovës.
Lajme
Tetova bëhet gati për festat e fundvitit, ja cilat hapësira do të zbukurohen!
Komuna e Tetovës ka planifikuar një sërë aktivitetesh për zbukurimin e qytetit në prag të festave të fundvitit, me synimin që hapësirat publike të marrin një pamje festive dhe të krijojnë një atmosferë të veçantë për qytetarët dhe vizitorët.
Sipas burimeve brenda Komunës së Tetovës, zbukurimet do të përfshijnë Sheshin e Qytetit, Bulevardin “Boris Kidriç”, rrethrrotullimet kryesore, si dhe shtyllat elektrike përgjatë akseve kryesore të qytetit.
Përmes këtij angazhimi, synohet që Tetova të marrë një pamje më të bukur dhe festive, duke sjellë më shumë gjallëri në hapësirat publike gjatë periudhës së festave të fundvitit.
-
Lajme12 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle3 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme12 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme3 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme1 month agoÇmimi i naftës shënon rënie
