Lajme
Universiteti i Tetovës e shënoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit
Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës përmes një akademie solemne e shënoi 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo datë historike, shënon gurthemelin e identitetit dhe shtetformimit tonë dhe ka peshë të jashtëzakonshme historike, kulturore dhe kombëtare. Në këtë veprimtari morën pjesë udhëheqësia e Universitetit të Tetovës, profesorë, historianë, studentë dhe të ftuar të tjerë.
Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti në fjalimin e tij tha se në kalendarin historik shqiptar, 28 Nëntori shënon pikënisjen e një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë drejt lirisë. Kjo ditë e shenjtë lidhet me dy momente madhore të historisë sonë: 28 Nëntorin e vitit 1443, kur në Krujë u ngrit flamuri i Kastriotit, dhe 28 Nëntorin e vitit 1912, kur në Vlorë Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke i dhënë jetë shtetit modern shqiptar.
“Akti i shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912 ishte epilog i përpjekjeve shekullore për mbrojtjen e territorit, identitetit, të drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve dhe përbën gurthemelin e qenësisë politike të kombit shqiptar. Shënimi i kësaj date të rëndësishme çdo vit na rikthen drejt një reflektimi të domosdoshëm mbi fatin historik të kombit tonë, i cili, në mënyrë të pashmangshme, lidhet edhe me fatin dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej nesh. 28 Nëntori nuk është thjesht një datë simbolike; është vetëdije historike, kujtesë kolektive dhe angazhim për të ardhmen. Është dita që na bashkon, në përkatësinë tonë të përbashkët.” – tha dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Referatin kushtuar 28 Nëntorit, e paraqiti profesori i Katedrës së Historisë në Fakultetin Filozofik, Prof. Dr. Qerim Dalipi. Ai u shpreh se në tetor – nëntor të vitit 1912, status quo – ja e Ballkanit u prish. Ushtritë serbe, malazeze dhe greke, thyen rezistencën e ushtrisë osmane dhe të vullnetarëve shqiptarë dhe hynë thellë në tokën shqiptare. Me këtë rast, ata masakruan mijëra shqiptarë të pafajshëm. Në rrethana të këtilla, pavarësisht se qarqet diplomatike të Fuqive të Mëdha, në nëntor, ia bënë të ditur Ismail Qemalit gjatë qëndrimit të tij në Vjenë se mbështesnin autonominë e Shqipërisë, kjo më për Të nuk kishte asnjë kuptim. Rrjedhimisht, më 28 nëntor 1912, u mbajt në Vlorë Kuvendi Kombëtar, i cili zgjodhi kryetar Ismail Qemalin. Delegatët nënshkruan dokumentin historik për pavarësinë e Shqipërisë, kurse pastaj u ngrit flamuri kombëtar përpara mijëra njerëzve
që ndodheshin jashtë selisë së Kuvendit. Me këtë u kurorëzuan përpjekjet shekullore për liri dhe pavarësi.
Po ashtu, me një ceremoni solemne, 28 Nëntori u shënua edhe në Fakultetin e Administrimit të Biznesit të UT-së në Kumanovë. Organizatorët në këtë njësi akademike theksuan se, kjo ditë simbolizon lindjen e shtetit shqiptar dhe përfaqëson krenarinë, sakrificën dhe aspiratat shekullore për liri. Akademia solemne në Fakultetin Filozofik u përmbyll me një interpretim artistik të përgatitur nga studentët e Fakultetit të Arteve, Rinesa Krasniqi, Alban Shahini dhe Hadim Misimi. Për shqiptarët kudo në botë, 28 Nëntori është më shumë se një festë: është një kujtesë e gjallë e rrënjëve, e unitetit dhe e përkushtimit për të ardhmen.
Lajme
Nevzat Bejta: Rikthehem në komunë, jo për politikë por për punë
Nevzat Bejta ka konfirmuar rikthimin e tij në garën për drejtimin e Komunës së Gostivarit, duke theksuar se motivi kryesor nuk është politika, por puna dhe realizimi i projekteve konkrete në interes të qytetarëve.
Në një intervistë për televizionin Alsat, Bejta deklaroi se vendimi për t’u rikthyer vjen si rezultat i përvojës dhe punëve të realizuara gjatë dy mandateve të tij si kryetar komune. Ai përmendi ndërtimin e urës lidhëse mbi lumin Vardar, rrugën Simnicë–Novosellë, hapjen e rrugës “18 Nëntori” që, sipas tij, ka liruar komunikacionin në qytet, si dhe rrugën lidhëse Vrapçisht–Çegran.
“Janë projekte konkrete, të prekshme për qytetarët. Pas fitores më 11 janar, na presin edhe shumë punë të tjera madhore”, theksoi Bejta.
Ai vlerësoi se gara për Gostivarin zhvillohet mes tij dhe kryetarit aktual Arben Taravari, duke e akuzuar këtë të fundit për, siç tha, mungesë pune dhe keqmenaxhim financiar të komunës. Sipas Bejtës, gjatë mandatit aktual janë shpenzuar mbi 30 milionë euro pa realizuar projekte konkrete, ndërsa komuna është futur edhe më thellë në borxhe.
Bejta paralajmëroi se me rikthimin e tij në krye të komunës, revizioni financiar do të jetë i pashmangshëm, me qëllim vendosjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë.
“Po rikthehem në komunë jo për politikë, por për të punuar me ndershmëri dhe dinjitet. Synimi im është t’ia rikthejmë Gostivarit shkëlqimin në arsim, kulturë, sport dhe investime madhore”, deklaroi ai.
Në fund, Bejta u bëri thirrje qytetarëve që më 11 janar të mbështesin, sipas tij, rikthimin e krenarisë dhe zhvillimit të qytetit, duke theksuar se këtë rrugë do ta bëjnë së bashku me qytetarët e Gostivarit.
https://www.facebook.com/share/p/1GA47JsqJM/
Lajme
Klinika, kaos me terminët dhe parkingun
Në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” qytetarët enden nga një repart në tjetrin, duke pritur me orë të tëra për një kontroll mjekësor, shpesh edhe për shërbime bazë.
Anketë me qytetar
“Boll bërllog u kon, hala ma bërllog asht. Pse? Qashtu. A prisni shumë? Si jo, tri orë katër orë, të xhumanë kamë nejt prej 8:00 n’sabah deri në 16:00 në aksham”
“Ka turmë sa të duash. Sa prisni? Që nga mëngjesi, tani mbarova…Ka shumë turmë shumë”
“Kjo është përditshmëri. Unë jam e punësuar këtu por kemi shumë pacientë, tani varet prej mjekëve, janë në sallë… ndonjëherë dinë të presin pak”
Pacientë pa fund, ndërsa parkim askund thonë qytetarët. Sipas tyre është pothuajse e pamundur të gjendet një vend i lirë, gjë që detyrohen të përdorin transportin publik, edhe pse gjendja shëndetësore nuk ua lejon.
“Parkingu është katastrofë, nuk mund të vijmë me veturë, duhet të vijmë me taksi ose me autobusë. Ka shumë rrëmujë, janë disa dilerë këtu të gjen vend të merr 100 denarë 50 denarë, policia nuk punon, katastrofë, pra parkingu është katastrofë”
“Parkingu për askund, unë erdha me autobusë, nga Gostivari jam, erdha me autobusë për shkak të parkingut. Më tregonte një shok kishte ardhur me babanë, dhe më tha se ka ardhur në orën 7 të mëngjesit dhe në orën 14 ka gjetur parking”
“Nuk përdori parking, vijë me autobusë pasi nuk ka teori të gjesh vend. Humbet gjithë ditën vetëm në parking”.
Iu drejtuam Ministrisë së Shëndetësisë, por pa përgjigje. Mungesa e organizimit, fluksi i madh i pacientëve dhe infrastruktura e pamjaftueshme po e rëndojnë edhe më shumë situatën në qendrën më të madhe shëndetësore në vend. Qytetarët kërkojnë zgjidhje urgjente, ndërsa institucionet vazhdojnë të heshtin përballë një problemi që prej kohësh nuk ka zgjidhje./Alsat.mk
Lajme
Banorët e Gazës pranuan ndihmat humanitare të dërguara nga Kosova
Banorët e Gazës kanë pranuar ndihmat humanitare të ndara nga Qeveria e Kosovës për ta dhe menjëherë ka nisur shpërndarja e ndihmave për familjet në nevojë.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, përmes rrjeteve sociale njoftoi se autoritetet kosovare morën konfirmim se ndihmat humanitare arritën në Gaza dhe u shpërndanë tek popullata përmes partnerëve humanitarë në terren.
“Dërgesa jonë në vlerë prej 500 mijë euro përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë. E dimë që asgjë nuk e zëvendëson humbjen dhe dhimbjen atje. Por shpresojmë që kjo ndihmë modeste t’u japë sadopak mbështetje e lehtësim familjeve, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, në ditë kur edhe gjërat më bazike mungojnë”, shkroi Gërvalla.
Ajo falënderoi duke shprehur mirënjohjen e sinqertë për Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për “bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur këtë operacion humanitar”.
-
Lajme3 weeks agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme1 year agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme2 weeks agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
