Lajme
Kallëzim penal për ish-kryetarin e Kërçovës, Fatmir Dehari
Departamenti për Punë të Brendshme Kërçovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër ish kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”, si dhe kundër F.A. (62) nga fshati Zajas, A.N. (38) nga fshati Srbica, H.B. (37) nga fshati Crvevci dhe B.S. (36) nga fshati Strelci, për kryerjen e veprës penale “pastrim parash dhe të ardhurash të tjera nga veprat penale”.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se, Dehari, në cilësinë e kryetarit të komunës së Kërçovës, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, me vetëdije dhe me dashje ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Marrëdhënie Pune dhe, duke mos vepruar në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, ka lidhur kontratë pune me të kallëzuarit e tjerë.
MPB
“Duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, me vetëdije u ka lejuar atyre të mos vijnë në punë dhe t’u paguhen paga, kompensime të tjera dhe kontribute nga arka komunale dhe nuk ua ka ndërprerë marrëdhënien e punës pas skadimit të afatit ligjor”.
Nga MPB shtuan se, në këtë mënyrë, Dehari e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Kërçovës në shumën prej 130.000 eurosh dhe u ka lejuar të raportuarve të tjerë të përfitojnë dobi materiale, nga të cilat, secili veçmas dhe për llogari të vet, kanë marrë shuma të ndryshme parash edhe pse e kanë ditur se ato janë përfituar pas kryerjes së një vepre penale.
Kujtojmë se, MPB edhe më herët ka ngritur kallëzim penal kundër ish kryetarit të Kërçovës. Në korrik të vitit 2025, Departamenti i Punëve të Brendshme Kërçovë ka paraqitur kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, nën dyshime për kryerjen e veprave penale “punë të pandërgjegjshme në detyrë” dhe “rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës përmes mbetjeve”. Përkatësisht, siç ka sqaruar MPB, Dehari dyshohet se ka lejuar krijimin e një deponie ilegale, me të cilin ka rrezikuar ambientin jetësor.
Lajme
Artan Grubit nesër i përfundon arresti shtëpiak
Ish zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi nesër i mbaron arresti shtëpiak. Vendimi ekzekutohet sipas fuqisë së ligjit pasi kalojnë 60 ditë nga dita e dorëzimit të propozim-akuzës. Megjithatë, Grubi i cili gati 8 muaj ka qëndruar në arrest shtëpie kërkon që t’i kthehet edhe pasaporta. Për këtë ka ofruar prona si garanci në vlerë mbi 335 mijë euro. Nga Gjykata Penale e Shkupit theksojnë shkurt për Alsat se për këtë propozim ende nuk kanë vendosur pasi e presin mendimin nga Prokuroria, e cila pritet që ta japë gjatë kësaj jave.
Ndërkohë vazhdon gjykimi për Grubin lidhur me keqpërdorimet në “Lotarinë Shtetërore”, megjithatë për dallim nga herët e kaluara, Grubi do të paraqitet në Gjykatë pa shoqërim policor.
Grubi gjykohet për “keqpërdorimin e detyrës zyrtare” pasi ka udhëhequr mbledhjen e Qeverisë ku është miratuar pika e rendit të ditës për nisjen e organizimit të pavarur të lojërave elektronike të fatit, ndonëse sipas Prokurorisë kjo nuk ka qenë e ligjshme. Sipas tyre, këtë e ka bërë në bashkëpunim me të akuzuarin e parë, ish drejtorin Përparim Bajrami.
Me këtë, Prokuroria pretendon se Grubi ka hapur rrugën që Lotaria Shtetërore t’i blejë VLT aparatet në vlerë mbi 9,7 milionë euro edhe pse të njëjtat nuk kanë qenë të nevojshme.
Pretendimet e këtilla Grubi i ka hedhur poshtë nën arsyetimin se për vendimin në mbledhje të Qeverisë kanë votuar 20 anëtarë, të gjithë “për”. Nga ana tjetër, teza e mbrojtjes së Grubit, por edhe të akuzuarve të tjerë është se ata kanë mbrojtur interesin shtetëror, me qëllim që përfitimi të shkojë direkt te Lotaria Shtetërore dhe jo të ndahet me partnerë të tjerë.
Lënda u hap në dhjetor të vitit 2024, rreth një javë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e futën në Listë të Zezë për korrupsion së bashku me ish gjyqtarin e Apelit Enver Bexheti. SHBA-ja i akuzoi për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm, duke pretenduar se kishin pranuar ryshfet për të penguar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin e ish shefit të Policisë Sekrete Sasho Mijallkov.
Megjithatë, Artan Grubi u largua nga Maqedonia më 15 dhjetor, duke kaluar pikën kufitare të Bllacës drejt Kosovës. Pas alarmit për arratisje, Grubi njoftoi në Facebook se ka udhëtuar për vizitë private dhe sapo t’i kryejë obligimet do të kthehet në shtëpi.
Megjithatë, obligimet e Grubit zgjatën mbi 14 muaj, për çka shteti shpalli fletëarrest të brendshëm ndërkombëtar. Në mëngjesin e 23 shkurtit, Grubi në Maqedoni hyri nga kishte dalë. Nëpër media dolën filmimet në të cilat shihej Grubi me pranga, pasi ishte vetëdorëzuar. Prej Pikës Kufitare Bllacë, Grubi dërgohet në Burgun e Shutkës, megjithatë vetëm pas disa orësh ai dërgohet në shtëpi pasi organet e sigurisë kishin alarmuar se rrezikohet jeta e Grubit në paraburgim. Për vendimin e këtillë pati reagime të ashpra në opinion.
Lajme
Astrit Iseni pas suspendimit të gjashtë policëve: Askush nuk është mbi ligjin
Gjashtë policë janë suspenduar pas dhunës brutale të ushtruar ndaj dy të rinjëve nga Saraji, Institucionet reaguan në kohë rekord, rasti nuk u la pa përgjigje, kështu deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, nga VLEN, I cili theksoi se MPB-ja ka kryer pjesën e saj të punës, ndërsa procedurat e mëtejshme i udhëheq Prokuroria. Sipas tij dhuna policore nuk ka vend në vendin tone dhe se uniforma është për ta mbrojtur qytetarin, jo për ta rrahur.
Iseni tha se sapo dolën pamjet, opozita shqiptare ka tentuar ta kthente dhunën ndaj dy të rinjve në betejë politike. Ku sic tha Iseni filluan akuzat, propaganda dhe përpjekjet për t’i dhënë ngjyrim etnik këtij rasti.
ASTRIT ISENI-ZËVENDËSMINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Nuk harrohet “Sopoti”, ku i latë njerëzit të kalben burgjeve. Nuk harrohet djegia e dyqaneve shqiptare, ndërsa ju vazhdonit të rrinit si dekor në pushtet. Nuk harrohet “Monstra”, as fyerja ndaj shqiptarëve me termin “indijanci”. Nuk harrohet vdekja e Rexhail Qerimit në burg. Nuk harrohet vrasja e Harun Aliut. Nuk harrohet as vrasja e Xhemail Rexhepit (Komandant Shqiponjës). Për të gjitha këto raste, dhe shumë të tjera, çka bëtë JU? Asgjë. Heshtët!”.
Iseni theksoi se BDI për njëzet vjet ishin në pushtet, dhe se gjatë qeverisjes së tyre kanë ndodhur ngjarjet makabre, ku shumë prej rasteve janë lidhur me veprimet e policisë dhe të institucioneve të drejtësisë. Ai gjithashtu shtoi se sado që BDI mundohen t’i fshehin me gomë nga memoria kolektive e shqiptarëve, nuk do t’ia dalin sepse sic tha ai shqiptarët e mbajnë mend mirë. Ju jeni parti me shumë mëkate, fund e krye, deklaroi Iseni.
Lajme
40 kamera të reja në funksion, “Safe City” shtrihet në pesë komuna!
Sistemi i kamerave “Safe City” ka nisur funksionimin edhe në rajonin e Ohrit, me rreth 40 kamera të vendosura në disa komuna dhe akse të rëndësishme rrugore.
Kamerat do të mbulojnë Ohrin, Strugën, Kërçovën, Debërcën dhe Dibrën, si dhe rrugët drejt pikës kufitare Qafasan, Shën Naumit dhe autostradën Ohër–Kërçovë.
Sistemi do të regjistrojë shkeljet në trafik, përfshirë tejkalimin e shpejtësisë, parkimin e parregullt dhe kalimin në semafor të kuq.
Nga policia u bëjnë thirrje shoferëve të respektojnë rregullat dhe kufizimet e shpejtësisë, me qëllim rritjen e sigurisë dhe uljen e aksidenteve rrugore.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
