Lajme
Çka po ndodh me autostradën Shkup–Bllacë? Projekt 15-vjeçar ende pa përfundim!
Pjesa e dytë e ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë pritet të nisë së shpejti, pasi aktualisht po bëhet evaluimi i ofertave nga tenderi ndërkombëtar.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikoloski, deklaroi sot se procesi po udhëhiqet nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa në garë janë 11 kompani të njohura dhe vendimi përfundimtar pritet shumë shpejt, përcjell INA.
Një projekt i premtuar prej 15 vitesh
Autostrada Shkup–Bllacë me gjatësi totale prej 12.5 kilometrash është premtuar për më shumë se 15 vite nga të gjitha qeveritë – VMRO-DPMNE, LSDM dhe BDI – ndërsa ideja për ndërtimin e saj daton mbi 20 vite më parë. Megjithatë, asnjë qeveri nuk ka arritur ta përfundojë këtë projekt strategjik.
Ndërtimi zyrtarisht nisi në maj të vitit 2020, vetëm dy muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kur filluan punimet për segmentin e parë prej 2 kilometrash – nga pika kufitare deri te fshati Bllacë.
2 kilometra të përfunduara, por pa funksion
Segmenti i parë është ndërtuar, por nuk është vënë në funksion të plotë. Ai përfundon praktikisht pa lidhje funksionale me pjesën tjetër të rrugës – në një “humnerë”, pasi mungon vazhdimi i autostradës.
Autoritetet kanë sqaruar se kjo pjesë nuk mund të lëshohet në përdorim pa përfundimin e segmentit të dytë, për shkak të mungesës së lidhjes infrastrukturore dhe standardeve të sigurisë.
Segmenti kryesor ende nuk ka nisur
Pjesa më e rëndësishme e projektit – segmenti i dytë prej 10.5 kilometrash, nga nyja në Stenkovec deri te Bllaca – ende nuk ka filluar të ndërtohet, pavarësisht premtimeve të vazhdueshme ndër vite.
Kosto e dyfishuar – nga 14 në 28 milionë euro për 2 km
Edhe më problematike mbetet çështja e kostos. Segmenti i parë ishte tenderuar për 14 milionë euro, por në fund përfundoi duke kushtuar 28 milionë euro – dyfish më shumë.
Sipas Ligjit për Prokurim Publik, rritja përmes anekseve zakonisht nuk duhet të kalojë 20%, ndërsa në këtë rast është arritur një rritje prej 100%. Kjo e bën këtë segment një nga më të shtrenjtit për kilometër në vend.
Kontrast i fortë me Kosovën
Ndërkohë, nga ana e Kosovës, autostrada “Arbën Xhaferi” me gjatësi 65 kilometra – nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në Prishtinë – është ndërtuar që para shtatë vitesh dhe është përfunduar për vetëm pesë vite.
Ky kontrast thekson edhe më shumë zvarritjen e projektit në anën e Maqedonisë së Veriut.
Pritet vendimi kyç
Tani gjithçka varet nga vendimi i BERZH-it për përzgjedhjen e kompanisë që do të ndërtojë segmentin e dytë. Vetëm pas kësaj pritet të shihet nëse një nga projektet më të përfolura infrastrukturore në vend do të dalë më në fund nga vendnumërimi.(INA)
Lajme
Kurti: E votojmë ndryshimin e Ligjit, nëse PDK-ja na jep gjysmën e votave për Sejdiun president
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do t’i japë 62 vota bashkë me komunitetet nëse PDK-ja zotohet se do t’i sigurojë gjysmën e votave të saj për emrin e Bekim Sejdiut për president.
“Nëse PDK-ja zotohet publikisht se i siguron së paku gjysmën e votave të deputetëve të tyre për Bekim Sejdiun, meqenëse pjesën tjetër e kemi bashkë me LDK-në, atëherë po procedojmë me votimin në leximin e dytë. Kërkojmë që të zotohen para jush”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se deputetët e PDK-së mund të votojnë edhe kundër.
“Ata mund të votojnë edhe kundër. Sa herë kanë kërkuar prej nesh, ne kemi qenë të gatshëm për votën për, e ne po e kërkojmë gjysmën e tyre kundër”, ka thënë Kurti në konferencë për shtyp.
“Nëse PDK-ja është kundër Sejdiut atëherë unë u them shpreheni me votë. Mos votoni për, veç votoni. Ndoshta është momenti i tillë që ndoshta 6 nga deputetët e LDK-së mund të na bashkëngjitet. Unë besoj që nëse do ta kishim një votë të tillë të përbashkët vështirë që edhe Sejdiu do të thoshte ‘jo nuk do ta shpëtojë Kosovën’”, ka thënë Kurti.
Lajme
Artan Grubi ofroi 335 mijë euro garanci për heqjen e masës së arrestit shtëpiak
Ish zëvendëskryeministri Artan Grubi, i akuzuar në rastin “Lotaria Shtetërore”, ka ofruar rreth 335 mijë euro si garanci për heqjen e masës së arrestit shtëpiak, njoftoi Gjykata Themelore Penale në Shkup, shkruan Portalb.mk.
“Mbrojtja ofroi pasuri të paluajtshme në vlerë prej 335.707 eurosh si garanci se i akuzuari do të jetë në dispozicion të organeve të ndjekjes gjatë procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.
Propozimi i mbrojtjes i është dërguar Prokurorisë Publike për mendim. Pas marrjes së mendimit, Këshilli Penal do të vendosë nëse do ta pranojë garancinë.
Nga Gjykata bëjnë të ditur se aktakuza për rastin e Lotarisë Shtetërore është dorëzuar më 13 gusht 2026. Sipas nenit 470 të Ligjit për Procedurë Penale, masa e arrestit shtëpiak për Grubin skadon më 13 tetor 2026, pas përfundimit të afatit ligjor prej 60 ditësh nga dorëzimi i aktakuzës.
“Masa e arrestit shtëpiak për këtë të akuzuar skadon më 13 tetor 2026”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Lajme
Mickoski kundër shkurtimit të festave: Të respektohen të drejtat e fituara të punëtorëve
Kryeministri Hristijan Mickoski është kundër iniciativës së Odës Ekonomike për uljen e numrit të festave dhe ditëve jo pune.
“Parimisht mendoj se të drejtat e fituara të punëtorëve duhet të respektohen dhe këtu nuk kam asnjë dilemë”, deklaroi Mickoski.
Me këtë, kryeministri praktikisht nuk e mbështeti propozimin e Odës për ndryshimin e zgjidhjes aktuale, sipas së cilës, nëse një festë shtetërore bie të dielën, dita e ardhshme është ditë jo pune.
Oda Ekonomike propozon ndryshime me të cilat do të ulej numri i ditëve jo pune, me arsyetimin se festat e shpeshta ndikojnë në produktivitet dhe krijojnë kosto shtesë për kompanitë.
Kundër kësaj iniciative janë shprehur edhe sindikatat, të cilat vlerësojnë se shkurtimi i ditëve jo pune do të nënkuptonte cenimin e të drejtave të punëtorëve të fituara tashmë.
Sipas qëndrimit të Mickoskit, Qeveria nuk ka ndërmend të mbështesë një zgjidhje që do t’u hiqte punëtorëve të drejta që tashmë i gëzojnë.
-
Lajme11 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme10 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme3 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme3 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
