Lajme
Nis vendosja e targave të kuqe në automjete zyrtare!
Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta i Qeverisë ka nisur procedurën e “brendimit”, përkatësisht shënjimit të të gjitha automjeteve zyrtare në shtet.
Qëllimi është që deri më 29 shtator, pra deri në fillim të fushatës për zgjedhjet lokale, të gjitha automjetet zyrtare dhe ato në pronësi të shtetit të jenë të brenduara, gjegjësisht të pajisen me targa të reja, speciale dhe me ngjyrë – deklaroi drejtori i këtij shërbimi, Ivica Tomovski.
Tomovski në konferencën për shtyp njoftoi se bëhet fjalë për rreth 7 deri në 7.500 automjete, duke theksuar se Ministria e Punëve të Brendshme deri më 31 dhjetor të këtij viti ka marrë përsipër të përgatisë një regjistër të automjeteve zyrtare.
“Dje shënuam 34-vjetorin e pavarësisë dhe gjatë këtyre viteve kemi dëgjuar shpesh premtime se do të bëhet brendimi dhe se do të parandalohet abuzimi i mundshëm i automjeteve zyrtare për qëllime private apo partiake, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Tani po e tregojmë në vepër. I kemi dhënë udhëzime dhe rekomandime të gjitha institucioneve të fillojnë menjëherë me ndërrimin e targave. Ky është thirrja e dytë. Afati është deri më 15 shtator që të gjitha automjetet të brendohen. Nëse nuk e bëjnë këtë, do të bëjmë edhe një thirrje të tretë, me qëllim që deri më 29 shtator, pra deri në fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale, të gjitha automjetet zyrtare dhe ato në pronësi të shtetit të jenë të brenduara”, theksoi Tomovski.
Ai sqaroi se rregullorja nuk parasheh gjoba, por nëse disa institucione shmangin ose nuk e realizojnë brendimin deri më 29 shtator, atëherë do të detyrohen ta bëjnë gjatë regjistrimit të automjeteve, kur automatikisht do të marrin targa speciale me ngjyrë.
“Ju jeni këtu si media, janë këtu institucionet për të treguar me çfarë automjetesh disponon shteti, gjithashtu edhe Komisioni Antikorrupsion që tashmë ka një lloj regjistri. Të lëmë hapësirë deri në fund të javës, mendoj se të gjitha institucionet do të përgjigjen”, u shpreh Tomovski.
Rregullorja parashikon që të brendohen të gjitha automjetet që janë në pronësi të shtetit – ato të qeverisë, komunave, ndërmarrjeve publike dhe çdo automjet tjetër me pronësi dominuese shtetërore.
“Rregullorja do të pësojë disa ndryshime gjatë vitit, sepse përfshin edhe automjete me destinim specifik, siç janë disa të Ministrisë së Brendshme dhe të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Këto do të përjashtohen nga brendimi, por të gjitha të tjerat do të jenë të detyruara të brendohen. Bëhet fjalë kryesisht për automjetet që i përdor administrata. Një pjesë e automjeteve të MPB-së do të përjashtohen, por pjesa tjetër do të brendohet pasi shfrytëzohen nga administrata”, deklaroi Tomovski.
Vendimi për këtë risi është marrë në mbledhjen e qeverisë më 29 korrik, ndërsa të parat institucione që kanë filluar tashmë brendimin e automjeteve janë Shërbimi për Punë të Përgjithshme dhe të Përbashkëta, Zonat e Lira Industriale, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari si dhe Drejtoria e Doganave.
Lajme
Georgievski: Me shqiptarët, kuptohem më mirë sesa me maqedonasit e “Botës Serbe”
Ish-kryeministri dhe lideri i Partisë OBRM-Popullore, Ljubço Georgievski, ka reaguar publikisht përmes rrjeteve sociale ndaj deklaratave të fundit të liderit të Aleanca për Shqiptarët, Arben Taravari.
Georgievski ka shpërndarë një video nga intervista e Taravarit, duke e shoqëruar me një koment që ka ngjallur reagime në opinionin publik. Ai thekson se pas shumë vitesh pavarësi të shtetit, raportet dhe perceptimet politike në vend po marrin një drejtim të ri.
“Pas 35 viteve pavarësi, ka ardhur koha kur me shqiptarët kuptohem më mirë sesa me maqedonasit e botës serbe”, ka shkruar Georgievski në profilin e tij në Facebook.
Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Arben Taravarit, i cili në një intervistë ka shprehur vlerësim të lartë për Georgievskin, duke e cilësuar si një nga figurat politike që e ndjek dhe e respekton më së shumti në Maqedoninë e Veriut.
Taravari ka deklaruar se, ndonëse janë takuar vetëm disa herë shkurtimisht, ai i ndjek rregullisht analizat dhe qëndrimet e ish-kryeministrit, duke vlerësuar njohuritë e tij për zhvillimet historike dhe politike në vend, si dhe për raportet Maqedoni–Bullgari.
“Kur i dëgjoj deklaratat e tij, ai është njohës i mirë i historisë dhe i zhvillimeve në Maqedoni, si dhe i marrëdhënieve ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë. Ka analiza të mira dhe unë shpesh e dëgjoj dhe pajtohem plotësisht me të”, është shprehur Taravari.
Në pjesën tjetër të deklaratës së tij, Taravari ka folur edhe për marrëdhëniet ndëretnike dhe orientimin gjeopolitik të shtetit, duke theksuar rolin e faktorit politik shqiptar në kursin euroatlantik të vendit.
Lajme
Ecolog mund të tërhiqet nga Shkëndija, kërkon nga FFM, rishikim të vendimit
Pas vendimit të fundit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM) ndaj KF Shkëndijës, sponsori i klubit ka reaguar ashpër, duke kërkuar që vendimi të rishikohet dhe korrigjohet urgjentisht.
Sipas reagimit, KF Shkëndija konsiderohet si një nga klubet e pakta në vend që ka funksionuar me seriozitet, korrektësi dhe në përputhje të plotë me të gjitha obligimet sportive dhe financiare. Sponsori thekson se investimet, mundi dhe sakrificat e bëra ndër vite kanë qenë të mëdha, ndërsa klubi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm edhe në arenën ndërkombëtare.
“Shkëndija është klubi që me paraqitjet dinjitoze në Evropë ngriti koeficientin e ligës, nga i cili përfitojnë të gjitha klubet vendore dhe falë të cilit, nga viti i ardhshëm, futbolli ynë do të ketë një vend shtesë në kupat evropiane”, thuhet në reagim.
Sponsori e konsideron të papranueshme që, sipas tij, me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe një kontribut i tillë të shpërblehet me “goditje të qëllimshme”. Për këtë arsye, paralajmërohet se do të shqyrtohet edhe mundësia e tërheqjes nga klubi dhe nga futbolli në Maqedoninë e Veriut.
“Prandaj, është e papranueshme që me vendime të marra në tavolinë të dëmtohet një projekt serioz dhe ky kontribut të shpërblehet me goditje të qëllimshme. Kjo qasje na shtyn të shqyrtojmë edhe opsionin e tërheqjes nga klubi/futbolli në Maqedoni të Veriut. Nëse FFM nuk e tërheq këtë vendim, atëherë ne si sponsor do ta shqyrtojmë seriozisht vazhdimin e mëtutjeshëm, pasi që ky vendim i cenon të drejtat dhe politikat e klubit”, thuhet më tej në deklaratë.
Në fund, sponsori u bën thirrje organeve të FFM-së që të reflektojnë me urgjencë dhe të veprojnë në interes të drejtësisë sportive, të klubit dhe të ardhmes së futbollit në vend.
Lajme
“Safe City” do t’i kapë edhe targat e huaja
Ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski paralajmëron përditësim brenda një muaji të sistemit “Safe City” për makinat me targa të huaja. Sipas Toshkovskit puna nuk ka përfunduar dhe se ka ende për t’u bërë.
Ai paralajmëroi se mangësitë për gjobitjen e drejtuesve të makinave me targa të huaja do të mënjanohen.
Deri të përmirësimin e sistemit gjobat për makinat e huaja do të vazhdojnë të regjistrohen automatikisht, edhe pse nuk dihet sa prej tyre paguhen dhe kush është drejtuesi i tyre, pasi sistemi aktualisht njeh vetëm targat e automjeteve.
Nga MPB bënë të ditur se në tre muaj, sistemi “Safe City” kishte regjistruar 33.722 shkelje nga makina me targa të huaja. Më shumë raste janë shënuar në maj 11.258 ndërsa më pak në shkurt 4.301.
-
Lajme6 months agoZbulohet Identiteti i Personit Të Vrarë Në Tetovë
-
Lajme2 years agoDetaje nga ngjarja tronditëse në Tetovë: Burri vrau gruan dhe vajzën 4 vjeçe, pastaj qëlloi djalin 9 vjeç dhe veten e tij
-
Lifestyle2 years agoTrashet miqësia me maqedonë në familjen e Adelina Tahirit
-
Lajme2 years agoKëto ministri dhe poste zv ministrash do ti takojnë VLEN-it
-
Lajme6 months agoAplikacion që zbulon kamerat radar, shoferët e shkarkojnë masivisht
-
Lajme2 years agoBurrin e Shkurte Fejzës e godet vetura (PAMJE)
-
Lajme2 years agoJa kush janë 13 deputetët e koalicionit “VLEN” (Lista)
-
Lajme2 years agoDetajet për vrasjen në Bllacë të Shkupit, 57 vjeçari Zelqif Tusha gjendet i vrarë
